Policia rrugore, penalitetet, blutë të angazhuar për parandalimin e aksidenteve
Policia Rrugore e Shkodrës është angazhuar 24orë në 7 ditët e javës, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, në çdo aks të qarkut, për të parandaluar aksidentet dhe për të menaxhuar trafikun .
Gjatë sezonit veror, kur fluksi i lëvizjeve në akset rrugore kryesore të Shkodrës dhe të zonave bregdetare është në kulmin e tij, Policia Rrugore ka përforcuar kontrollet dhe monitorimin. Me patrullime të shtuara dhe përdorim të teknologjisë së avancuar, fokuset kanë qenë rritja e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimi i çdo lloj shkeljeje që mund të çojë në aksidente.
Gjatë 10 ditëve të fundit, në Qarkun Shkodër janë proçeduar penalisht 12 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi si dhe janë pezulluar 6 leje drejtimi.
Janë vendosur 717 masa administrative për shkelje të ndryshme, si për parakalime të gabuara , për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit , për mosmbajtjen e kaskës mbrojtëse , për drejtim të mjetit, nën ndikimin e alkoolit, për mungesë të policës së sigurimit, për parkim të gabuar, si dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore bën të ditur se do të vijojë të jetë e pranishme në çdo aks të qarkut, me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore.
Njëkohësisht, policia apelon që të respektohen rregullat e qarkullimit rrugor, të shmanget përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, të shmangen parakalimet e gabuara, dhe të moderohet shpejtësia.