Poligoni i parë i Testimit Praktik për Leje Drejtimi në Fushë-Prezë, Rama: 30 mijë kandidatë në vit
Kanë nisur testimet praktike nga Poligoni i parë i Testimit Praktik për Leje Drejtimi në Fushë-Prezë.
Teksa ka publikuar pamjet në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama shprehet se mbi 30 mijë kandidatë në vit të autoshkollave do të kryejnë manovrat e veçanta të testimit praktik për kategoritë AM, A1, A2, A, B, në pistën e re të testimit pranë kësaj qendre të re.
“MIRËMËNGJES dhe nga Poligoni i parë i Testimit Praktik për Leje Drejtimi në Fushë Prezë, ku kanë nisur testimet praktike, e ku mbi 30 mijë kandidatë në vit të autoshkollave do të kryejnë manovrat e veçanta të testimit praktik për kategoritë AM, A1, A2, A, B, në pistën e re të testimit pranë kësaj qendre të re, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë më të fundit të simulatorëve mbi drejtimin e mjetit, pikë takimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale të sektorit të Leje Drejtimit.
Projekti parashikon e-Monitorim ajror por edhe brenda në kabinë, live gjatë provimit, kompleks funksional ditën e natën, eficiencë energjitike e karikim mjetesh elektrike me energji diellore, parkime ndihmëse, sinjalistikë e mjete simulimi, instalime bashkëkohore dhe ambiente pritjeje.
Kjo vepër e re shumëdimensionale, me një sipërfaqe rreth 6000 m2 do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore, orë Këndi Trafiku dhe Aktivitete Mësimore shtesë.