Poliklinika e Shkodrës drejt përfundimit, Koçiu: Shërbime cilësore për 200 mijë banorë në 19 specialitete
Rikonstruksioni i Poliklinikës së Specialiteteve “Bahri Kopliku” në Shkodër, në kuadër të programit të rehabilitimit të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor, është drejt përfundimit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga punë që po kryhet për rikonstruksionin e kësaj poliklinike, e cila do t’i shërbejë rreth 200 mijë banorëve.
“Me ambiente dhe kushte bashkëkohore për stafin mjekësor si dhe aparatura të teknologjisë së fundit, Poliklinika e Shkodrës do të ofrojë akses të shpejtë dhe shërbime cilësore për 200 mijë banorë në 19 specialitete të ndryshme”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu theksoi se “mbetemi të angazhuar edhe përgjatë vitit 2024 për modernizimin dhe transformimin e strukturave spitalore dhe qendrave shëndetësore në të gjithë vendin”.
Ky investim i qeverisë dhe MSHMS me vlerë 90.388.219 lekë me TVSH, do të bëjë që pasi godina të rehabilitohet plotësisht, të kalojë një transformim të poliklinikës dhe riorganizim të 13 kabineteve mjekësore të specialiteteve të ndryshme, sëmundjeve të brendshme, si dhe ekzaminime laboratorike e imazherike në: kardiologji, gastrohepatologji, reumatologji, endokrinologji, nefrologji, hematologji, pneumologji, pediatri, kirurgji, ORL, neurologji, onkologji dhe alergologji.
Ky institucion shëndetësor do të pajiset edhe me aparatura të reja mjekësore dhe diagnostikuese.