Politika uron “Ditën e Mësuesit”

Dita e 7 Marsit, e njohur si “Dita e Mësuesit”, është një mundësi për të nderuar dhe falënderuar ata që kontribuojnë për formimin dhe edukimin e të rinjve, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe vendit.
“Dita e Mësuesve”, ku urimet dhe vlerësimet për punën e tyre shprehen nga të gjithë nxënësit dhe qytetarët në të gjithë vendin edhe politika ka uruar mësuesit në Shqipëri duke shprehur përulësi për kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj.
Në festën tradicionale të mësuesve, Kryeministri Edi Rama ka uruar mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë për ditën e 7 Marsit, në një postim në rrjetin e tij social Facebook, duke theksuar rëndësinë e punës së tyre të palodhur dhe përkushtimin në edukimin e brezit të ri.
“Mirëmëngjesi dhe me mirënjohjen për mësueset e mësuesit, që me durim dhe përkushtim mbjellin e kultivojnë farën e dijes tek fëmijët e Shqipërisë, ju uroj atyre Gëzuar 7 Marsin dhe të gjithëve ju një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ka shprehur mirënjohjen e saj të veçantë për mësuesit e Shqipërisë me rastin e “Ditës së Mësuesit”. Ajo theksoi përkushtimin dhe durimin e mësuesve, duke luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e brezave të rinj.
“Me mirënjohjen për të gjithë mësuesit, që me durim dhe përkushtim mbjellin dhe kultivojnë farën e dijes tek fëmijët tanë, ju uroj Gëzuar 7 Marsin”, shkruan Manastirliu.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ka shprehur urimet e saj për “Ditën e Mësuesit”, duke nënvizuar rëndësinë e mësuesve, edukatorëve dhe akademikëve për formimin dhe edukimin e brezave të rinj. Në një postim të shkruar në rrjetin e saj social Facebook, Muzhaqi ka falënderuar ata për përkushtimin e palodhur dhe ndikimin e tyre të jashtëzakonshëm në jetën e çdo nxënësi.
“Gëzuar 7 Marsin! Sot është dita për të nderuar të gjithë mësuesit, edukatorët dhe akademikët – misionarët e dijes dhe të formimit të brezave të rinj! Me përkushtimin tuaj të palodhur, ju jo vetëm që ndani dije, por edhe ushqeni ëndrrat dhe formoni të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë.
7 Marsi është një moment reflektimi për të forcuar më tej mbështetjen për arsimin dhe për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë për punën tuaj fisnike. Falë jush, investojmë në një shoqëri më të arsimuar, më të fortë dhe më të përgatitur për të ardhmen.
Faleminderit për dritën që i jepni dijes dhe për ndikimin tuaj të pazëvendësueshëm në jetën e çdo nxënësi. Sot, e çdo ditë, ju jeni frymëzim! Me respekt dhe mirënjohje të thellë”, shkruan Bora Muzhaqi.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka përshëndetur mësuesit duke vlerësuar rëndësinë e madhe të profesionit të tyre në formimin e brezave të rinj. Në një mesazh për këtë ditë të shënuar, Spiropali theksoi se mësuesit janë jo vetëm profesionistë, por edhe misionarë të dijes, të cilët luajnë një rol kyç në zhvillimin e shoqërisë dhe të ardhmes së vendit.
“Sot është 7 Marsi, Dita e Mësuesit, profesionit që formëson të gjitha profesionet e tjera. Thënia e Konfucit “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit janë të pamatshme”, është një mësim universal për të gjitha kohërat. Pas çdo historie suksesi, ka pasur një mësues që ka ndezur kureshtjen, ka nxitur ambicjen dhe ka forcuar besimin.
Mësuesit nuk janë thjesht profesionistë, por misionarë, të cilët, mbi të gjitha, motivojnë e frymëzojnë. Sepse të mësuarit është çelësi më i rëndësishëm për progresin, mirëqenien dhe zhvillimin.
Prandaj nëse dëshirojmë t’u japim shumë shanse fëmijëve tanë, t’u japim më parë një shans mësuesve të Shqipërisë. Atyre që punojnë jo për t’u pasuruar, por për të ndërtuar jetët e fëmijëve tanë, që frymëzojnë me modelin dhe shembullin e tyre. Prandaj ne nuk kursehemi, dhe nuk do të kursehemi, të rrisim, siç edhe kemi rritur, pagat e mësuesve.
Të përmirësojmë, siç edhe kemi përmirësuar, kushtet në shkollat në çdo qytet e fshat të vendit. Të vazhdojmë të rrisim investimet për arsimin, shkollimin, edukimin qytetar dhe formimin shkencor. Mësuesit e kthejnë këtë investim me përkushtimin, talentin dhe dashurinë e tyre për vajzat dhe djemtë e Shqipërisë.
Gëzuar 7 Marsin, mësuese dhe mësues, të dashur, të urtë e të respektuar! Mirënjohje pa fund për ju, mësues të së kaluarës, mësues të sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë!”, thotë Spiropali.

Dita e 7 Marsit, e njohur si “Dita e Mësuesit”, është një mundësi për të nderuar dhe falënderuar ata që kontribuojnë për formimin dhe edukimin e të rinjve, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe vendit. Kjo festë ka një kuptim të veçantë për mësuesit, pasi u jep mundësinë të ndihen të vlerësuar për punën e tyre të përditshme.