Politika uron Sulltan Nevruzin, presidenti Begaj përcjell urimet nga Përmeti
Bektashianët kremtojnë sot festën e Sulltan Nevruzit, i cili shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian, të shpresës dhe ringjalljes për njerëzimin. Për urimet e kësaj dite u bashkuan edhe figurat kryesore të politikës.
Presidenti Bajram Begaj njoftoi se ai do të jetë sot me besimtarët bektashnj në Përmet.
“Gëzuar Ditën e Novruzit! Nga Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan, Presidenti Begaj do të përcjellë urimet e tij për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë në orën 12.00,” njoftoi Presidenca.
Ndërsa kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjesin me pamje nga kurora e malit Sevaster në Selenicë. “Ju uroj gëzuar festën e Sulltan Nevruzit,” shkroi kryetari i qeverisë në rrjetet sociale.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar mbarësi dhe paqe për besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit
“Në Ditën e Sulltan Novruzit, uroj të gjithë besimtarët bektashinj: mbarësi, mirëqenie, dashuri dhe paqe! Ëmbëlsia e kësaj feste të fisnikërisë e ringjalljes bektashiane le të shpërndahet e përshkojë jetët e vatrat familjare të gjithë shqiptarëve që kremtojnë këtë ditë të shënuar!”, uron Nikolla.
“Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja,” uroi edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në Shqipëri Dita e Sulltan Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.