Polonia në krye të Këshillit të BE, Spiropali: Do shpejtojmë ritmet e anëtarësimit
Prej 1 janarit 2025 dhe për gjashtë muajt e ardhshëm, Polonia ka marrë kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian, për t’i përfaqësuar ajo shtetet anëtare në negociatat me institucionet e BE-së.
Ceremonia u mbajt më 3 janar në praninë e kryeministrit polak Donald Tusk dhe të presidentit të Këshillit Europian, Antonio Kosta (o. Costa). Z. Tusk renditi si çështjet kyç të presidencës polake sigurinë, konkurrueshmërinë dhe inovacionin.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cilësoi të dielën presidencë polake të Këshillit të Bashkimit Europian “një momentum i favorshëm për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Garantimi i shpejtësisë dhe cilësisë së zgjerimit, si prioritet i kësaj Presidence, është në koherencë me punën tonë për avancimin e reformave.
Kuvendi i Shqipërisë do të bashkëpunojë me Parlamentin e Polonisë dhe Kryetarin Szymon Hołownia për shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe shpejtimin e ritmeve të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë,” njoftoi znj. Spiropali.