Popullsia do të tkurret me 14%, OKB: Shqipëria, mes 5 vendeve që do pësojnë rënien më të madhe deri në 2054
Në 30 vitet e ardhshme popullsia e Shqipërisë parashikohet të arrijë në 2 milionë. Është ky projeksioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ecurinë e popullsisë në botë, që e rendit Shqipërinë ndër 5 vendet më të rrezikuara për rënien e popullsisë deri në vitin 2054.
Sipas skenarit të projeksionit mesatar të Kombeve të Bashkuara, numri i njerëzve që jetojnë në vendet si Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Lituania, Porto Riko dhe Republika e Moldavisë parashikohet të bjerë me 14 për qind në 30 vitet e ardhshme.
Bazuar në situatën reale të viteve të fundit ku fluksi i shpërnguljeve të shqiptarëve ka qenë i lartë në drejtim të vendeve të Europës, emigracioni renditet si një ndër shkaqet kryesore. Pashtu ndër shkaqet e përmendura është edhe rënia e lindjeve.
Rënia e popullsisë u reflektua edhe në të dhënat e fundit të Censit 2023, ku popullsia e Shqipërisë ka zbritur në 2.4 milionë banorë, 17 përqind me pak krahasuar me vitin 2011.
“Rënia e shpejtë e popullsisë në disa kontekste mund të shkaktojë sfidë, që kërkon përgjigje inovative të politikave për të adresuar potencialin makroekonomik, tregun e punës, mbrojtjen sociale dhe pasojat e sigurisë kombëtare- thuhet në raportin e Organizatës se Kombeve të Bashkuara.