Porositi rrëmbimin e vrasjen e Jani Prengës, arrestohet në Turqi, Dritan Rexhepi
Është arrestuar në Stamboll, Dritan Rexhepi, porositësi për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës në vitin 2020, ngjarje për të cilën janë akuzuar edhe persona të tjerë.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i brendshëm turk, Ali Yerlikaya, i cili njoftoi se kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, Rexhepi, u arrestua në operacionin “Kartel” në Stamboll.
I cilësuar si kreu i kartelit të drogës “Kompanio Bello”, Rexhepi kërkohej nga Italia dhe Shqipëria nën akuzën se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.
Rrëmbimi i Prengës u urdhërua nga Dritan Rexhepi, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës i vodhi një sasi kokaine e importuar nga Ekuadori në Angli. Jan Prenga u rrëmbye me qëllim kthimin e kokainës nga i vëllai, por u vras dhe më pas trupi i tij u zhduk.
Reagon ministri i Brendshëm, Taulant Balla
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, e ka përshëndetur bashkëpunimin me autoritetet turke për arrestimin e Rexhepit.
“Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund. Arrestimi i personit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare Dritan Rexhepi, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të një sërë agjencish ligjzbatuese nga disa vende partnere, është një rezultat i rëndësishëm. Ditën e hënë do të takohem në Lion me drejtuesit më të lartë të Interpol për ta çuar në një nivel tjetër goditjen e krimit të organizuar,” njoftoi ministri Balla.