Portugalia lufton me zjarret në mes të valës së tretë të të nxehtit, mijëra pers…
Portugalia lufton me zjarret në mes të valës së tretë të të nxehtit, mijëra persona të evakuuar
Zjarrfikësit në Portugali po luftojnë për të kontrolluar zjarret që kanë përfshirë mijëra hektarë mes temperaturave në rritje. Më shumë se 1,400 njerëz janë evakuuar në qytetit jugor të Odemiras, ku të paktën nëntë zjarrfikës janë lënduar në përpjekjet për të shuar zjarret.
Temperaturat mbi 40C pritet të godasin pjesën më të madhe të gadishullit Iberik këtë javë. Tre vatra të mëdha zjarri që dogjën qindra hektarë në Spanjë gjatë fundjavës janë vënë nën kontroll, por alarmet e motit mbeten në fuqi në pjesën më të madhe të vendit.
Në Portugali, e hëna regjistroi temperatura prej 46.4C, më e nxehta e vitit deri më tani, e regjistruar në Santarem. Në Odemira, zjarret kanë shkatërruar deri më tani rreth 6,700 hektarë tokë, ndërsa gjithsej 19 fshatra, katër akomodime turistike dhe një vend kampingu janë evakuuar.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Helder Guerreiro, ka thënë se situata është “kritike, e vështirë dhe komplekse”.
Në qendër të vendit, zjarre të tjera të mëdha shkaktuan mbylljen e disa pjesëve të autostradës, duke përfshirë pjesë të A1 midis Lisbonës dhe Portos.
Gjashtëmbëdhjetë avionë zjarrfikës janë vendosur për të mbështetur përpjekjet për shuarjen e zjarrit në të dy zonat.
Autoritetet kanë shpallur më shumë se 120 komuna në të gjithë Portugalinë në rrezik maksimal nga zjarret. Në Spanjë, zjarret pranë qyteteve bregdetare jugperëndimore të Cadiz dhe Huelva dhe në rajonin verior të Katalonjës dogjën më shumë se 1,000 hektarë të shtunën dhe të dielën./ BBC