Pr.buxheti 2024, Mete në komisionin e Ekonomisë: Rritja e pagave, indeksimi i pensioneve dhe bonusi, ndarja sipas ministrive

ministri i Financave Ervin Mete

ministri i Financave Ervin Mete

Vijimi i reformës së rritjes së pagave të iniciuar gjatë këtij viti, përbën pjesën kryesore të rritjes së shpenzimeve buxhetore për 2024, duke kulmuar me një kosto totale të kësaj reforme prej 39.1 miliardë lekë në vitin 2025.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Financave, Ervin Mete në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për Shpenzimet Buxhetore 2024. Për rrjedhojë, sipas tij, shpenzimet e personelit për vitin 2024 do të arrijnë në 119.7 miliardë lekë, ose mbi 1.1 miliardë Euro.

“Shpenzimet Buxhetore për vitin 2024 janë programuar në nivelin e 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e PBB. Në terma nominalë, shpenzimet buxhetore për vitin 2024 janë rreth 30.4 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2023. Krahasuar me vitin 2013, shpenzimet buxhetore për 2024 janë shtuar me më shumë se 1.8 herë.”, tha Mete.

Sipas tij, nvestimet publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë, rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se plani fillestar i vitit 2023.

Shumica e shpenzimeve kapitale për vitin 2024, sipas projektit të qeverisë, shkon për financimin e projekteve në vazhdim si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11 miliardë lekë, si dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 16.6 miliardë lekë. Gjithashtu, vijon financimi i rindërtimit me 7 miliardë lekë, duke lënë gjithashtu të hapur mundësinë e rialokimeve me qëllim përshpejtimin e mëtejshëm të këtij procesi. 

Ndarja sipas sektorëve

Sektori i Arsimit parashikohet të financohet në nivelin e 78.8 miliardë lekë, me rritje rreth 9.8 miliardë lekë krahasuar me vitin 2023.

“Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në 1 korrik të vitit 2024, do të ofrohet më shumë financim për tekste shkollore falas, transportin e nxënësve dhe mësuesve, përmirësimin e infrastrukturës së shkollave në arsimin parauniversitar, si dhe një rritje të fondeve grant për sistemin universitar publik.”, tha Mete.

Shëndetësia

Sektori i Shëndetësisë do të financohet me rreth 72.2 miliardë lekë në vitin 2024 ose rreth 5 miliardë lekë më shumë se viti 2023. Rritja e parashikuar e fondeve për këtë sektor do të përqëndrohet në financimin kryesisht të:

  • Rritjes së pagave për personelin mjekësor;
  • Shërbimeve shëndetësore parësore e spitalore;
  • Paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike e jopublike;
  • Infrastrukturës së shërbimeve spitalore publike.

Drejtësia

Shpenzimet për sektorin e Drejtësisë, të cilat kanë njohur rritje të konsiderueshme që prej startimit të reformës në Drejtësi në vitin 2016, projektbuxheti i vitit 2024 parashikon rreth 26.2 miliardë lekë për këtë sektor ose rreth 13.5 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016.

“Edhe krahasuar me vitin 2023, buxheti i parashikuar për sektorin e Drejtësisë do të rritet në mënyrë të konsiderueshmë me rreth 4.2 miliardë lekë më shumë. Këto shifra reflektojnë mbështetjen financiare për funksionimin e institucioneve të reformës, ku përfshihen institucionet e Vettingut, të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reformimin e institucioneve të sistemit të akuzës dhe sistemit gjyqësor, të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, të shkollës së Magjistraturës, reformimin e institucioneve të tjera të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, duke e përmbyllur me mbështetjen financiare të sistemeve të teknologjisë në sistemin e drejtësisë dhe miratimin e hartës së re gjyqësore.”, theksoi ministri Mete.

Mbrojtja

Sektori i Mbrojtjes do të financohet me 48.3 miliardë lekë për vitin 2024 ose me rreth 8 miliardë lekë më shumë se viti 2023.

“Njëkohësisht, rritja e konsiderueshme e financimit për këtë sektor na mundëson që për herë të parë të respektojmë në mënyrë rigoroze angazhimin e marrë në kuadër të NATO-s për financimin e sektorit të mbrojtjes me 2% të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2024. Buxheti për këtë sektor do të financojë rritjen e nivelit të pagave për personelin ushtarak, si dhe modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje ushtarake.”, theksoi ministri përpara deputetëve.

Shpenzimet korrente

Referuar shpenzimeve të tjera korrente të planifikuara në nivelin 63.2 miliardë lekë për vitin 2024, veçohen 11.55 miliardë lekë transfertë për Institucionet e Arsimit të Lartë për të mbështetur 67 mijë studentë të ciklit të parë të studimeve dhe 26 mijë të ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve, duke përfshirë këtu rreth 18 mijë studentë që përfitojnë bursa ekselence dhe në formën e mbështetjes sociale.

“8.7 miliardë lekë për shpenzimet operacionale dhe të mirëmbajtjes së forcave të armatosura. 5.9 miliardë lekë për mirëmbajtjen e infrastrukturës digjitale dhe rritjes së sigurisë kibernetike, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike digjitale. 4.1 miliardë lekë për shpenzimet e funksionimit dhe mirëmbajtjes së Policisë së Shtetit. 3.4 miliardë lekë për skemat e ndryshme të granteve për fermerët me financim direkt nga buxheti i shtetit, nga të cilat 2.1 miliardë lekë për skemat mbështetëse për fermerët dhe 1.3 miliardë lekë për skemën e subvencionimit të naftës. 745 milionë lekë për Strehimin Social ku parashikohet që për herë të parë për vitin 2024 të përfitojnë kredi me norma interesi të lehtësuara ose 0% rreth 2000 të punësuar në administratën publike.”, sqaroi Mete.

Indeksimi i pensioneve dhe bonusi

Tek shpenzimet për fondet speciale, vlen të veçohet Indeksimi i Pensioneve i parashikuar në masën 4.1 miliardë lekë dhe Bonusi i Pensionistëve i parashikuar në shumën 3.65 miliardë lekë për vitin 2024, ku parashikohet të përfitojnë rreth 717 mijë pensionistë.

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2024 parashikohet në masën 58 miliardë lekë ose 2.4% e PBB-së, nga 54.5 miliardë lekë të planifikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2023.

“Shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të Pronarëve qëndrojnë në masën 5 miliardë lekë, duke i qëndruar angazhimit të ndërmarrë nga Qeveria ndaj Gjykatës së Strasburgut për një skemë financimi të mirëpërcaktuar dhe të sigurtë financiarisht për dëmshpërblimin e kësaj shtrese. Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë 2.9% të PBB-së. Po ti shtojmë edhe shumën 15.3 miliardë lekë si transferta të kushtëzuara nga ministritë e linjës për projekte investimesh për të cilat janë përfituese bashkitë, buxheti vendor ndaj PBB-së është 3.5%. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, është 12% më e lartë, ndërkohë që krahasuar me vitin 2015 (viti para reformës administrativo-territoriale) është 92% më e lartë. Totali i transfertës nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor shkon në 36.5 miliardë lekë ose 1.5% e Produktit të Brendshëm Bruto.”, theksoi Mete.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.