Pr.ligji “Për sistemin e adresave”, Balla: Zgjidhim problematikën shumëvjeçare, së shpejti ligj për Gjendjen Civile
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve në lidhje me projektligjin “Për sistemin e adresave”, garantoi se do i jepet zgjidhje një problematike shumëvjeçare.
Ai u shpreh se aktualisht sistemi i adresave përdoret vetëm nga Shërbimi i Gjendjes Civile.
Por pas integrimit të dy regjistrave, sipas ministrit, mbi 2.5 milionë shtetas shqiptarë kanë një adresë të përditësuar.
“Ky ligj nuk ka asnjë lidhje, ndërthurje me listat e zgjedhësve. Entitetet ndryshohen përmes modulit të hartës. Sistemi i adresave aktualisht përdoret vetëm nga shërbimi i gjendjes civile.
Pas integrimit të dy regjistrave, punës së përditshme të nëpunësve të gjendjes civile, aktualisht mbi 2.5 milionë shtetas shqiptarë kanë një adresë të përditësuar.
Sipas standardit ligjor, para se të miratojmë këtë ligj, me standardin e ligjit ekzistues me 8 elementë.
Mbetet një numër i konsiderueshëm shtetasish pa një adresë të saktësuar sipas modelit zyrtar të adresave. Duke marrë parasysh se regjistri kombëtar I gjendjes civile përmban 4.5 milionë shtetas të regjistruar. Asnjë sistem tjetër deri më tani, nuk e përdor adresën sipas standardit ligjor me 8 elementë”, u shpreh Balla.
Ministri u ndal te disa nga problematikat, një prej të cilave ka të bëjë me mosndjekjen e procesit të emërtimit të pjesëve të territorit publik nga njësitë e qeverisjes vendore, moseficensa e ofrimit të shërbimeve publikesi rezultat i mosdeklarimit të të dhënave të sakta të vendbanimit, etj,.
“Një çështje mendoj ose problematika që janë synuar të adresohen dhe që lidhen kryesisht me pushtetin vendor por jo vetëm ka të bëjë me vendosjen e penaliteteve ndaj organeve të qeverisjes vendore, të cilat kanë përgjegjësinë për zbatimin e të gjithë kuadrit ligjor për sa i përket adresarit në Shqipëri. Problematikat kanë pasur të bëjnë dhe vazhdojnë të kenë të bëjnë me mosndjekjen e procesit të emërtimit të pjesëve të territorit publik nga njësitë e qeverisje vendore, nga moseficenca e ofrimit të shërbimeve publike si rezultat i mosdeklarimit të saktë të të dhënave të vendbanimit, dhe sa i përket mangësive në numërtimin, adresimin numerik të brendshëm dhe të jashtëm të objekteve ekzistuese në Shqipëri”, shtoi ministri.
Balla bëri me dije se ka kaluar në qeveri dhe shumë shpejt do të prezantohet në Kuvend ligji për Gjendjen Civile.
“Kryetari i Bashkisë kontrollon dhe raporton ecurinë e procesit të emërtimit në DPGJC dhe dua të ndaj me ju informacionin se ne kemi kaluar në qeveri dhe do vijmë shumë shpejt këtu për të prezantuar dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj edhe për ligjin për Gjendjen Civile”, bëri me dije ai.