Prag Evropiani i boksit U-18, trajneri Çekini dhe kampioni Maca optimistë për medalje
Për sportistët e klubit shkodran të boksit, North Boxing Albania, dje ka qënë një ditë e veçantë, pasi në procesin stërvitor ka qënë i pranishëm edhe nënkampioni i botës, si dhe kampioni i Anglisë, Adam Maca. E drejtuar nga trajneri Emiliano Çekini, stervitja kryesisht është përqëndruar tek dy boksierët e talentuar, Adam Maca dhe Jurgen Lazri, të cilët pritet të jenë pjesëmarrës në Kampionatin Evropian që zhvillohet me datë 2 prill në Kroaci.
Për Adam Macen dhe babain e tij, Vladimir Maca, origjina e të cilëve është nga Mirdita, por që kanë preferuar të përfaqësojnë klubin shkodran, North Boxing Albania, viti 2024 pritet të jetë i suksesshëm duke premtuar medalje në Evropianin e Kroacisë dhe Botërorin e Spanjës.
Me një bilanc të tillë, 4 herë kampion i Anglisë, nënkampion i botës dhe njëkohësisht edhe 2 herë kampion i Europës për moshat, e ardhmja e këtij boksieri është e garantuar për suksese në vazhdimësi. Ndërkohë, që garën ekipore, sipas dy trajnerëve, Emiliano dhe Klaodio Çekini, klubi shkodran, North Boxing Albania, është pretendenti kryesor për t’u shpallur kampion kombëtar.