Prag Lojrat Olimpike “Paris 2024” , kryebashkiaku Benet Beci pret kampionin Burraj dhe trajnerin Rrotani

Ekipi Olimpik TEAM ALBANIA është gati për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, që do të mbahen prej datës 26 Korrik deri më 11 Gusht 2024, në Paris. Pjesë e delegacionit sportiv shqiptar që përbëhet me 8 sportistë është edhe atleti i talentuar shkodran, Franko Burraj, i cili do të konkurojë në garën e 100 metrave. Në prag të nisjes drejt Francës, atleti shkodran Franko Burraj dhe trajneri i tij Bruno Rrotani janë pritur në zyrën e tij nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Në prezencën edhe të drejtorit të sporteve pranë Bashkisë Shkodër, Auron Miloti, kreu i Bashkisë Shkodër Beci duke e përgëzuar për rezultatet e arritura në sportin e atletikës, i ka uruar suksese Franko Burrajt, ndërkohë që nuk ka nguruar ta falënderojë për angazhimin dhe përfaqësimin që po i bën qytetit të Shkodrës në eventin më të madh botëror të atletikës. Krahas shkodranit Franko Burraj, në Lojërat Olimpike, “Paris 2024” do të konkurojnë edhe atletët, Luiza Gega në 3000 me pengesa, mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe Chermen Valiev në stilin e lirë për peshat 57 kg, 65 kg dhe 74kg, Manjola Konini në qitje, në disiplinat 25m pistol dhe 10 m Air pistol, si edhe notarët Kaltra Meça 200m stil i lirë dhe Grisi Konxhaku 100 m stil i lirë.