Prapaskena, Sër Aleks Ferguson mbështet Erik ten Hag
Erik ten Hag ka ende mbështetjen e Sër Aleks Ferguson edhe pse “djajtë e kuq” kanë rregjistruar nisjen më të keqe të sezonit në 61 vitet e fundit.
53-vjeçari është në vitin e tij të dytë në Mançester dhe këtë sezon po e shikon veten nën trysni pasi mungon gjithçka. Golat, pikët dhe loja e bukur tashmë janë një mirazh në “Old Trafford” dhe mediet së bashku me tifozët kanë ngritur shumë pikëpyetje mbi mënyrën se si po zhvillon ekipin trajneri.
Junajtid ka humbur pesë prej 11 ndeshjeve të para të sezonit dhe në këtë situatë është parë e nevojshme ndërhyrja e Ferguson, i cili i ka dhënë mbështetetjen e tij trajnerit holandez.
Sipas “The Sun” Ferguson jo vetëm i ka dhënë mbështetje të plotë menaxherit, por ka ftuar edhe pronarët e rinj të klubit që të bëjnë të njëjtën gjë dhe të mos i hapin më shumë telashe duke trazuar ujrat e merkatos.