Prefektja Angoni inspektim në Pukë / 420 familje ende të bllokuara, shpërndahen ndihma ushqimore nga MC
Në mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile të zhvilluar në Fushë- Arrëz, prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, sqaroi kryebashkiakun Hil Curri se nuk mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në rrjetet sociale, ndërkohë që ligji flet qartë për këtë situatë.
Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Hil Curri, tha se situata ishte e rëndë pasi 7 automjete mbetën për 12 orë të bllokuar, ndërkohë që qindra të tjerë ishin të izoluar pa rrugë e pa energji
Prefektja Angoni së bashku me deputetin Frrok Gjini, inspektuan çeljen e aksit Fushë Arrëz- Iballë. Teksa garantoi mbështetje për banorët. Angoni tha se krahas asistencës në hapjen e rrugëve po bëhet edhe shpërndarja e ndihmave me ushqime për familjet e izoluara.
Ndërsa këtë fillim jave është hapur aksi Fushë-Arrëz – Iballë, deri në qendër, puna po vijon në njësinë administrative Fierzë dhe disa fshatra në Blerim. Në total janë rreth 420 familje që ende ndodhen të izoluara për shkak të rrugëve të bllokuara ku Agjensia e Mbrojtjes Civile shpërndau ndihma ushqimore për ta.