Presidenca belge e BE-së – Paralajmërohen ndryshime në procesin e vendimmarrjes
“Zgjerimi i Bashkimit tonë duhet të na bëjë të gjithëve më të fortë. Prandaj, Presidenca është e përkushtuar të mbështesë vendet kandidate në përpjekjet e tyre për t’iu bashkuar Bashkimit tonë. Në të njëjtën kohë, do të jetë thelbësore të përgatiten politikat, burimet dhe strukturat vendimmarrëse të Bashkimit në funksion të anëtarësimeve të ardhshme”.
I vetmi paragraf për zgjerimin në programin rreth 50 faqe të presidencës belge të Bashkimit Europian, duket zhgënjyes për nga volumi i përmendjes sa dhe konfirmativ për proceset në rrugë të zgjerimit, kur ky i fundit shihet si forcim i Unionit në të njëjtën kohë që paralajmërohet ndryshimi i procedurave për anëtarësimet e ardhshme.
Me dy krahë, si në drejtim të vendeve që presin anëtarësimin ashtu edhe në drejtim të procedurave të zgjerimit, pritmëria për rotacionin drejtues të Belgjikës në BE, është që ndoshta të preken përpara ndryshimit të të zgjedhurve europianë politikat e vetos.
Në rreshtat e pakët, paralajmërimi i ndryshimit është i qartë: ato që synohen janë politikat, burimet dhe strukturat vendimmarrëse të Bashkimit Europian në funksion të anëtarësimeve të ardhshme.
I bërë pa deklarime publike, por me bllokime në tryezat e bisedimeve, vetoja e fundit greke e shprehur në kushtin e letrës së firmosur për të ftuar Shqipërinë që të çelë kapitujt e parë, nëse vendimi i unanimitetit do të bjerë më në fund për këto procese, do të mbahet mend si pika që derdhi gotën e stërmbushur me veto nga çdo vend anëtar për çfarëdolloj arsyeje e pretendimi deri territorial e kulturor ndaj vendeve në pritje të anëtarësimit e me reforma të përmbushura.
Ky ndryshim do të ishte një histori vërtetë e re e Europës që kërkon të bëhet lojtar global duke shikuar nga Bashkimi e jo nga pengesat e emëruara si standarde.
Objektivi i madh i drejtimit 6 mujor belg, vetëm në pak rreshta për zgjerimin, do të ndryshonte rrënjësisht ecurinë e Europës, me parashikimin që vendimmarrja të mos vijë nga unanimiteti i konsumuar keq prej vendeve anëtare, por nga njohja e rezultateve dhe e domosdoshmërisë për një Europë të shtrirë kudo ku ndodhet.
Ky gjashtëmujor sa dhe drejtimi i tij belg do tregojë pikërisht nëse europianët do ta arrijnë dot këtë.