Presidencialet në SHBA, Bajden: Flasin për moshën time, por në rrezik është demokracia
Presidenti amerikan Xho Bajden (o. Joe Biden) ka pranuar se pala kundërshtare po fokusohet qëllimisht te mosha e tij para garës së ardhshme për Shtëpinë e Bardhë, porse ai ka zgjedhur të garojë kundër Donald Trampit (o. Trump) për demokracinë.
Çështjen e moshës ai e trajtoi në një event për mbledhjen e fondeve për fushatë në Nju-Jork.
“Shumë njerëz fokusohen te mosha ime. Këtë e kuptoj, më besoni, dhe e di më mirë se çdokush,” tha Bajden.
Ai shtoi: “Unë po futem në garë ngaqë rrezikojmë demokracinë, sepse në vitin 2024 edhe një herë do të jetë demokracia për votim. Dhe të mos ketë asnjë pikëpyetje: Donald Trampi dhe republikanët e tij janë të vendosur për ta shkatërruar demokracinë amerikane.”
Sondazhet tregojnë se votuesit amerikanë janë të shqetësuar për moshën e presidentit Bajden. Duke qenë 80 vjeç, ai është një ndër presidentët më të vjetër të SHBA-së.
Bajdeni tha se ai nuk do “përkulet” para “diktatorëve”, duke akuzuar Trampin se veproi kështu ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.