Presidenti Bajden në Izrael, takim me homologun Netanjahu. Anulohet vizita në Jordani
Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) mbërrin këtë të mërkurë (18 tetor) në Tel Aviv, në një moment kur situata mes Izraelit dhe Hamasit është përkeqësuar.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Xhon Kirbi (John Kirby) ka bërë me dije se gjatë udhëtimit të tij në Izrael, presidenti Bajden do të takohet me kryeministrin izraelit Netanjahu (Netanyahu), ndërsa më pas do takohet edhe me kabinetin izraelit të luftës.
“Më pas, Bajden “do të ketë një shans për t’u takuar me disa nga reaguesit e parë izraelitë, të cilët me guxim po e vënë veten në rrezik në përgjigje të këtyre sulmeve të Hamasit””, tha Kirbi.
Më tej, Bajden do të takojë disa nga familjet të cilat kanë humbur të dashurit e tyre në sulmet e përgjakshme të këtyre javëve, dhe familjet e personave të cilët po mbahen peng.
Presidenti do të dalë më pas në një deklaratë për media së bashku me presidentin izraelit Herzog.
“Bajden “do të bëjë pyetje të vështira. Ai do t’i pyesë ata si një mik, si një mik i vërtetë i Izraelit, por ai do t’u bëjë disa pyetje atyre”, tha Kirbi.
Vizita e planifikuar e Bajden në Aman, Jordani për t’u takuar me liderët arabë u anulua pasi një shpërthim në spital ditën e djeshme (17 tetor) që vrau rreth 500 persona në qytetin e Gazës.
“Presidenti synon të flasë me Presidentin Mahmoud Abbas dhe Presidentin Sisi gjatë fluturimit për në shtëpi“, thotë Kirbi.
Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se Izraeli e ka mohuar kategorikisht lidhjen me sulmin në spitalin e Gazës.
“Izraelitët e kanë mohuar kategorikisht dhe me shumë ashpërsi se kishin ndonjë lidhje me të”, tha Kirbi.