Presidenti Bajden: Shpresoj që të hënën e ardhshme të ketë një armëpushim në Gaza
Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) shpreson se deri të hënën e ardhshme (4 mars) do të ketë një armëpushim në konfliktin Izrael-Hamas.
“Epo, shpresoj që në fillim të fundjavës, dua të them, në fund të fundjavës. Këshilltari im për sigurinë kombëtare më thotë se jemi afër. Jemi afër, nuk ka përfunduar ende. Dhe shpresa ime është që të hënën e ardhshme do të kemi një armëpushim”, tha Bajden.
Hamasi ka hequr dorë nga disa kërkesa kyçe në negociatat për një marrëveshje pengjesh dhe pauzë në luftimet në Gaza.
“Pengesat kryesore janë zgjidhur në aspektin e insistimit të Hamasit për tërheqjen e plotë të forcave izraelite dhe përfundimin e luftës”, tha një zyrtar i lartë i administratës së Bajdenit pas takimit të së premtes në Paris midis shefave të inteligjencës së SHBA-së, Egjiptit dhe Izraelit dhe kryeministrit të Katarit.
“Kërkesat e Hamasit për numrin e palestinezëve [të burgosurve që] duhet të lirohen kanë rënë”, shtoi zyrtari.
Faza e parë e marrëveshjes do të ishte lirimi i pengjeve izraelite, përfshirë gra, fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë, në këmbim të një numri më të vogël të burgosurish palestinezë sesa kishte kërkuar fillimisht Hamasi.
Faza e dytë është ajo ku diskutimet priteët të ndërlikohen më shumë, pasi do të diskutohen çështje komplekse si lirimi i pengjeve meshkuj të IDF nga Hamas dhe fundi i luftës.
Udhëheqësit izraelitë e kanë bërë të qartë se synojnë të nisin një ofensivë ushtarake në Rafah, ndërsa në një propozim të mëparshëm Hamasi tha se duan të përdorin një fazë të dytë për të diskutuar “kërkesat e nevojshme për vazhdimin e ndërprerjes së ndërsjellë të operacioneve ushtarake”.