Presidenti Begaj nis vizitën 3-ditore në komunat e banuara nga arbëreshët në rajonin e Kalabrisë
Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë zyrtare treditore në komunat e banuara nga arbëreshët në rajonin e Kalabrisë.
Vizita e Begajt vjen me ftesë të autoriteteve kalabreze dhe Institutit Rajonal të komunitetit Arbëresh të Kalabrisë. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, bëhet me dije se nga kjo e premte (20 tetor) deri ditën e hënë (23 tetor), kreu i shtetit do të takohet me arbëreshët që jetojnë në komunat e provincave të Katanxaros, Krotones dhe Kozencës, si dhe do të zhvillojë takime me autoritetet lokale.
Po ashtu, gjatë takimeve me autoritetet vendore dhe përfaqësues të komunitetit arbëresh, Begaj do të trajtojë temat që lidhen me lidhjet historike e kulturore mes Shqipërisë dhe rajonit të Kalabrisë, nevoja e mbrojtjes së gjuhës arbëreshe, mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit me rajonin e Kalabrisë dhe zonat ku banojnë arbëreshet, si dhe mundësitë për investime të bizneseve kalabreze në fusha të ndryshme në Shqipëri.