Lajme

Presidenti Begaj uron për Vitin e Ri: Zgjedhjet 2025, test se kemi mësuar nga gabimet

Presidenti Bajram Begaj uroi të martën shqiptarët kudo ndodhen për Vitin e Ri 2025.

Në videomesazhin e përcjellë në mediet sociale, kreu i shtetit e cilësoi 2024 një vit të pasur me arritje në shumë fusha.

Mesazhi i plotë i Presidentit Bajram Begaj

Të dashur bashkëkombës,

Në traditën tonë, ndërrimi i viteve është momenti i bashkimit në familje, i festimit, gëzimit dhe lutjeve për një vit të ri sa më të begatë. 

Ky moment është një mundësi e çmuar për t’u bashkuar rreth vlerave dhe aspiratave tona, duke parë së bashku drejt të ardhmes.

Festa e Vitit të Ri na kthen tek ajo çka është njerëzore, shpirtërore, dhe te vlerat tona më të rëndësishme, si: familja, atdhedashuria dhe mikpritja.

Sot dëshiroj të ndaj me ju urimet dhe falënderimet e mia më të mira:

Për të gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit, që kontribuojnë çdo ditë me punën e dedikimin e tyre për një Shqipëri më të paqtë, më të begatë e më evropiane. 

Për të gjithë bashkëqytetarët tanë, që edhe këtë mbrëmje mbrojnë, kujdesen, ndihmojnë dhe sigurojnë vazhdimësinë e jetës së vendit. 

Për të gjithë ata që jetojnë në emigracion, ata që studiojnë apo ata që shërbejnë në misione ushtarake e shtetërore në vende të ndryshme të botës.

Sot dëshiroj të përshëndes dhe t’u uroj çdo të mirë të gjithë bashkëkombësve tanë të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, kudo ku ata ndodhen. 

Të dashur bashkëqytetarë, 

Ndryshimi i viteve është moment bilanci dhe reflektimi, të cilin e bëjmë individualisht, si familje, si shoqëri, si shtet e si komb.

Shqipëria ka ende sfida për të përmbushur pritshmëritë, aspiratat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj. 

Ky vit ishte i pasur me arritje në shumë fusha, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë tonë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, forcimin e partneriteteve dhe imazhit ndërkombëtar, si dhe përqafimin e risive teknologjike.

• Dikur e varfër dhe e izoluar, Shqipëria sot është anëtare aktive në NATO, është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendi i samiteve ndërkombëtare dhe mikpritëse e miliona turistëve.

• Shqipëria sot është vendi ku reforma në drejtësi po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

• Shqipëria sot mundëson dhe i jep fuqi votës së Diasporës.

Të dashur bashkatdhetarë,

Ndonëse dëshirat tona mund të ndryshojnë, të gjithë ndajmë të njëjtën shpresë e vizion. 

Reformat që do të përgatisin Shqipërinë e së nesërmes kërkojnë përpjekje dhe angazhim nga secili prej nesh. 

• Shqipëria ka nevojë për një politikë më aktive, transparente dhe llogaridhënëse. 

• Vendi ka nevojë për zyrtarë me integritet dhe institucione të forta, që garantojnë vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. 

• Si shtet e shoqëri, duhet të fokusohemi te sfidat afatgjata, me qëllim nxitjen e reformave konsensuale dhe të qëndrueshme për ngushtimin e hendekut social midis brezave, zonave dhe shtresave shoqërore.

• Mbi të gjitha, kemi nevojë për forcimin e rolit të familjes, mirëarsimimin, mirëedukimin dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Një mesazh të veçantë kam sot për brezin e ri: 

Përqafoni risitë, por lidhuni fort me trashëgiminë e popullit tuaj dhe, mbi të gjitha, duajeni, mësojeni e mbrojeni mirë shqipen e bukur të trojeve tona.

Studioni, punoni e jetoni ku vlerësoni se arrini objektivat tuaja, por mos i shkëpusni asnjëherë lidhjet me vendin tuaj, vendin e prindërve, gjyshërve, familjarëve tuaj, Shqipërinë krenare, Shqipërinë bujare, Shqipërinë e bukur.

Të dashura motra dhe vëllezër, 

Të gjithë ne e duam Shqipërinë të zhvilluar, të sigurt, demokratike dhe evropiane.

Viti zgjedhor 2025 është test për ne për të treguar se kemi mësuar nga gabimet e të shkuarës dhe se kemi aftësinë të shohim përpara. 

Kemi mundësitë dhe kapacitetet.  

Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për të arritur objektivat tona.

Si President, prind, bashkëshort dhe familjar, bashkohem sonte me urimet më të përzemërta për ju, familjet tuaja, miqtë, për shtetin dhe shoqërinë tonë. 

Gëzuar Vitin e Ri 2025! 

RTSH Shkodra

Recent Posts

Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përgatiti draft-raportin vjetor për situatën në Kosovë…

8 hours ago

PSV-Juve, Thiago Motta: Ndeshja më e rëndësishme e sezonit

Juventusi është gati të përballet me PSV-në me synimin për të mbrojtur epërsinë 2-1 nga…

8 hours ago

Real-City, Ancelotti: Të luajmë si në ndeshjen e parë

Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, në prag të ndeshjes së dytë të play-off-it të Ligës…

8 hours ago

City, Guardiola: 1% mundësi për të kaluar Realin? Kam gënjyer

"Stadiumi ka ndryshuar shumë, sepse isha mësuar shumë me atë të vjetrin. Nuk ndjeva asgjë…

9 hours ago

Abissnet Superiore në RTSH, FSHF zbulon axhendën e 5 javëve të ardhshme

Komisioni i Ligave dhe Garave ka zyrtarizuar kalendarin e ndeshjeve për kampionatin “Abissnet Superiore”, nga…

9 hours ago

Bekim Balaj dhe 2 sezone kuqeblu / “Topi i Artë” i Superligës shqiptare nënshkruan me Vllazninë

Bekim Balaj do të jetë futbollist i Vllaznisë të paktën edhe për dy sezone të…

9 hours ago

This website uses cookies.