Presidenti Begaj vizitë zyrtare në Sofje, takim “kokë më kokë” me homologun Radev
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj udhëton këtë të mërkurë drejt Sofjes për një vizitë zyrtare me ftesë të homologut të Bullgarisë, Rumen Radev.
Agjenda parashikon takimin “kokë më kokë” të kryetarëve të dy shteteve, takimin e delegacioneve përkatëse si dhe konferencën e përbashkët për shtyp të Presidentit Begaj me homologun Radev.
Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Shqipërisë dhe i Bullgarisë në rajon dhe me gjerë si pjesë e NATO-s dhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare e rajonale si dhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian do te jenë në fokus të bisedës se Presidentit të Shqipërisë dhe homologut të tij bullgar.
Presidenti Begaj do të pritet edhe nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.
Gjithashtu Presidenti Begaj do të zhvillojë një vizitë te trupat ushtarake shqiptare që janë të pozicionuara në Novo Selo, si pjesë e programit të NATO-s “Enhance Vigilant Activity”.