Presidenti Begaj zhvillon takim online me efektivët e FA që shërbejnë në misionet dhe operacionet paqeruajtëse në botë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi të hënën një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misionet dhe operacionet paqeruajtëse në botë krah NATO-s, OKB-së dhe Bashkimit Evropian. Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Gjeneralmajor Arben Kingji.
Presidenti, sipas njoftimit për shtyp, ndau me ushtarakët urimet më të mira për vitin e ri dhe i përgëzoi për kryerjen me përgjegjësi e devotshmëri të të gjitha angazhimeve të ndërmarra në ruajtje të sigurisë dhe paqes në botë.
Presidenti Begaj, në fjalën e tij, i vlerësoi ushtarakët për lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Falë punës suaj, – u shpreh Presidenti, vendi ynë konsiderohet si partner mjaft i rëndësishëm i organizatës së NATO-s dhe kërkesa për shtim të kontributit të Shqipërisë në Aleancë është shenjë e vlerësimit për profesionalizmin e Forcave të Armatosura. Presidenti u shprehu ushtarakëve mbështetjen e tij maksimale, duke i cilësuar “kontributin më të madh të shqiptarëve në botë”.
Të pranishëm në këtë bisedë me Presidentin e Republikës ishin dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura që shërbejnë në rajon, por edhe më gjerë, si: Letoni, Irak, Sinai, në Sudanin e Jugut dhe në detin Egje.
Këta të fundit e zhvilluan bisedën online më Presidentin, ndërsa ishin në lundrim me mision patrullimin në ujërat e Egjeut.
Ata i përcollën Presidentit Begaj informacionet lidhur me angazhimin në misionet ku shërbejnë, raportuan përmbushjen me sukses të detyrave të ngarkuara, si dhe shkëmbyen urimet për Vitin e Ri 2024.