Categories: LajmeSport

Presidenti Duka: Kombëtarja, ambasadorja më e mirë e Shqipërisë

Futbolli, veçse i ka bashkuar shqiptarët përmes Kombëtares, ka shërbyer si një instrument i fuqishëm për ta kthyer ekipin kuqezi në një ambasador të denjë për vendin tonë. Kualifikimi në “EURO 2024” është një reklamë për Shqipërinë dhe treguesi më i qartë i punës së bërë nga FSHF për rritjen e futbollit në vend. Veç përfaqësimit në Europian, futbolli shqiptar përfaqësohet më së miri në Europë edhe në rrafshin institucional UEFA. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pasi u bë pjesë e Komititet Ekzekutiv në vitin 2019, në prill të këtij viti u zgjodh edhe zëvendëspresident i UEFA-s. Një përgjegjësi më shumë, gjë që kreu i FSHF e thotë edhe në intervistën e dhënë për “Tirana Diplomat”. Presidenti Duka flet edhe për ndikimin që ka Kombëtarja kuqezi në rrafshin diplomatik, si dhe për takimet e shpeshta që ai ka pasur me diplomatë të vendeve të ndryshme.

Shqipëria e futbollit është shndërruar në një faktor bashkimi shqiptarësh nga të gjitha trojet. Si President, prej dy dekadash, a ka qenë kjo një strategji e FSHF edhe në optikën e një diplomacie sportive, të cilën shteti shqiptar nuk mund ta luajë dot?

– Kombëtarja është padyshim ambasadorja më e mirë e Shqipërisë në rrafshin diplomatik. Kjo u dëshmua veçanërisht në finalet e Euro Francë 2016, kur e gjithë media ndërkombëtare raportonte çdo ditë për Shqipërinë e futbollit, duke promovuar kështu një imazh fantastik për vendin kudo. Përmes futbollit Shqipëria ka përftuar promovimin më të mirë të mundshëm. E njëjta gjë edhe tani pas kualifikimit për në finalet e Euro 2024, të gjithë shkruajnë dhe flasin për Kombëtaren dhe i bëjnë jehonë arritjeve të futbollit shqiptar.Dhe nga këto arritje sigurisht që vendi ynë fiton shumë në aspektin diplomatik, duke qenë një faktor bashkimi edhe për faktin se në Kombëtare luajnë futbollistë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo është magjia dhe fuqia e futbollit, që arrin t’i bëjë bashkë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë fushe. FSHF ka shpallur strategjinë “Futbolli për Kombin 2022-2025” një vit më parë me objektiva të qartë, që po shndërrohen në realitet ditë pas dite, përmes një punë të madhe, investimesh të mëdha, sakrificash dhe vizioni për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, qoftë edhe atë diplomatik. Patjetër që në këtë optikë FSHF luan një rol kyç dhe ndjehem mirë teksa konstatoj se në shumë raste ka bërë shumë më shumë se vetë shteti shqiptar, duke e kthyer futbollin në një lokomotivë që i prin zhvillimit të shoqërisë shqiptare, madje është më përpara krahasuar me fusha të tjera të jetës.

Jeni i pari zyrtar sportiv shqiptar që zgjidheni Zv. President i UEFA, organizatë që përfshin të gjitha vendet europiane, duke i dhënë një përmasë ndërkombëtare Federatës. Sa mund të influencojë roli juaj në panoramën e marrëdhënieve me federatat simotra përfshirë gjigante të tillë si Gjermania, Italia, Franca apo Anglia?

– Patjetër që zgjedhja ime në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s është një arritje e madhe për mua personalisht, për FSHF-në dhe për Shqipërinë. Ndihem i vlerësuar për punën, kontributin gjatë një periudhe të gjatë në futboll. Zgjedhja në këtë post të lartë drejtues në një organizatë kaq të rëndësishme ndërkombëtare më bën të ndjej një detyrim akoma më të madh për besimin e mbështetjen që më kanë dhënë, për t’ua shpërblyer me punë, me rezultate e ndershmëri në të gjithë vendimmarrjen e organit drejtues. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me UEFA-n, federatat homologe në përgjithësi dhe këtë stafi i FSHF-së e ka treguar me korrektësinë dhe nivelin e duhur organizativ në çdo kompeticion që kemi mirpritur apo ku kemi marrë pjesë. UEFA është një organizatë solide, demokratike, e baraspeshuar dhe në bazat e saj këtë ka solidaritetin, bashkëpunimin me të gjitha federatat si edhe menaxhimin sa më të mirë të gjitha aktiviteteve sportive dhe financiare të saj. Mbështetja e UEFA-s ndaj meje në rastin konkret është mbështetja për të pasur në gjirin e saj nga të gjitha nivelet dhe madhësitë e federative. Qëllimi i UEFA-s është që të gjithë bashkë, vende të mëdha e të vogla, me më pak apo më shumë kontribute në futboll, të jenë të balancuara dhe bashkërisht të zhvillojmë futbollin në vendet respektive. Shqipëria është një nga 55 anëtarët e këtij institucioni dhe nëse bën mirë detyrat e saj, përfiton jo pak. Çdo vit ne organizojmë turne kualifikues, që u japin shanse të rinjve, por edhe organizime të tjera si finalja e madhe e UEFA Conference League dhe finalet e Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17, që i janë besuar Shqipërisë.

Takoni shpesh ambasadorë të huaj, çfarë i keni dhënë një imazh shumë të mirë institucionit të FSHF. Cila është tematika?

– Federata Shqiptare e Futbollit është një nga institucionet më të rëndësishme në Shqipëri, që ka përgjegjësinë e vetme për zhvillimin, organizimin dhe qeverisjen e futbollit në të gjithë vendin. E them këtë duke iu referuar peshës dhe rolit që ka futbolli në shoqërinë tonë, si sporti më i dashur për shqiptarët. Është e rëndësishme të kuptohet se roli ynë si organ drejtues i futbollit në Shqipëri shkon përtej paraqitjeve të ekipit kombëtar dhe organizimit të të gjitha klubeve tona profesioniste. FSHF është krenare për rolin e saj në shoqërinë shqiptare si një katalizator për ndryshim, duke mbështetur fuqishëm me çdo mjet gjithpërfshirjen dhe angazhimin e sa më shumë të rinjve dhe të reja në futboll. FSHF ka një rol të rëndësishëm në bashkimin e kombit, me anëtarët e komunitetit të gjerë sportiv, duke promovuar kësisoj edhe një imazh pozitiv të futbollit shqiptar dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, unë kam shpesh takime me ambasadorë dhe përfaqësitë diplomatike nga të gjitha vendet për të diskutuar rreth bashkëpunimeve në shumë fusha, projekteve të përbashkëta dhe mbështetjes që vendet e tyre mund t’i japin zhvillimit të mëtejshëm të futbollit shqiptar. Kemi një raport dhe partneritet të shkëlqyer me të gjithë trupin diplomatik në vendin tonë. Sinqerisht është kënaqësi kur marr vlerësime për punën e madhe që kemi bërë në FSHF për të transformuar futbollin ndër vite dhe ky evolucion është i prekshëm për të gjithë.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përgatiti draft-raportin vjetor për situatën në Kosovë…

9 hours ago

PSV-Juve, Thiago Motta: Ndeshja më e rëndësishme e sezonit

Juventusi është gati të përballet me PSV-në me synimin për të mbrojtur epërsinë 2-1 nga…

10 hours ago

Real-City, Ancelotti: Të luajmë si në ndeshjen e parë

Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, në prag të ndeshjes së dytë të play-off-it të Ligës…

10 hours ago

City, Guardiola: 1% mundësi për të kaluar Realin? Kam gënjyer

"Stadiumi ka ndryshuar shumë, sepse isha mësuar shumë me atë të vjetrin. Nuk ndjeva asgjë…

10 hours ago

Abissnet Superiore në RTSH, FSHF zbulon axhendën e 5 javëve të ardhshme

Komisioni i Ligave dhe Garave ka zyrtarizuar kalendarin e ndeshjeve për kampionatin “Abissnet Superiore”, nga…

10 hours ago

Bekim Balaj dhe 2 sezone kuqeblu / “Topi i Artë” i Superligës shqiptare nënshkruan me Vllazninë

Bekim Balaj do të jetë futbollist i Vllaznisë të paktën edhe për dy sezone të…

10 hours ago

This website uses cookies.