Presidenti francez: Nuk ka asnjë provë të përfshirjes iraniane në sulmet e Hamasit
Presidenti francez, Emanuel Makron (Emmanuel Macron) tha se ai nuk ka “prova zyrtare” të mbështetjes iraniane për sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.
Duke folur në një konferencë shtypi në Hamburg së bashku me kancelarin gjerman Olaf Sholc (Olaf Scholz), Makron tha se, megjithatë, “ka të ngjarë që Hamasit t’i ofrohet ndihmë”.
Edhe zyrtarët amerikanë të sigurisë kanë pohuar thuajse të njëjtën gjë. Zëvendës këshilltari i sigurisë kombëtare Jon Finer tha se nuk ka asnjë “informacion të drejtpërdrejtë” që lidh këto sulme me Iranin në këtë moment. Por ai theksoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se Irani është “gjerësisht bashkëpunëtor” në sulmet e Hamasit në Izrael.
Për ndihmën për Gazën, Makron tha gjithashtu se Parisi “nuk është në favor të një pezullimi” të ndihmës për popullsinë palestineze, duke i bërë jehonë një deklarate të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme franceze të martën.
Ai tha se Franca kishte vendosur tashmë masa për të siguruar që ndihma për popullsinë palestineze në territoret e pushtuara dhe vendet fqinje të mos shkonte për grupet terroriste.
“Ne nuk duhet të ngatërrojmë luftën kundër terrorizmit me të drejtat më elementare të njeriut”, theksoi presidenti francez pasi kjo do të rrezikonte një rritje të “mbështetjes popullore” për aktet terroriste në rajon./ CNN