Presidenti Vuçiq do të vizitojë Graçanicën, Sveçla: Pa leje do të arrestohej
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (o. Aleksandar Vucic) do të arrestohej po të vinte pa leje për vizitë në Kosovë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, komentoi të mërkurën deklaratën e para disa ditëve të presidentit serb, se së shpejti do të donte të vizitonte Graçanicën, komunë kosovare me shumë banorë serbë. Sveçla tha se ka një ndryshim mes vizitave diplomatike dhe asaj pa leje që mendon të bëjë presidenti Vuçiq.
“Për me leje, te Kryeministri. Për pa leje te unë,” deklaroi Sveçla në televizionin ATV.
I pyetur se a po thotë se do ta arrestonin Vuçiqin, Sveçla tha se kushdo që futet pa leje në territorin e Kosovës do të arrestohet, përfshirë edhe presidenti serb.
“Është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiqit. Për pa leje pastaj dihet cilat institucione merren me të. Nëse futet në Kosovë, pa asnjë dyshim.
Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tënd, mirëpo,” deklaroi Sveçla, “unë nuk besoj që Vuçiqi është aq i krisur sa të vijë në Kosovë pa leje”.