Presidentja e Sllovenisë vizitë në Shqipëri, Pirc Musar pritet të vizitojë edhe ambientet e RTSH-së
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, nis sot vizitën dy ditore në Shqiperi, ku do të pritet nga homologu Bajram Begaj, dhe së bashku do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së ambienteve të reja të ambasadës së Sllovenisë.
Një vizitë të veçantë, presidentja sllovene, e ka rezervuar në orën 18.00 në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, ku dhe do të japë një intervistë për Alban Dudushin. Në program, presidentja sllovene, së bashku me presidentin Begaj, do të ndjekin koncertin e orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar , drejtuar nga pianisti – studiues, SIMON KREČIČ
Në ditën e dytë të vizitës, presidentja sllovene, së bashku me kreun e shtetit shqiptar do të mbajnë një konferencë për gazetarët, dhe rreth mesditës do të pritet nga kryeministri Edi Rama me të cilin do të kenë një bisedë kokë më kokë. Presidentja sllovene, do të mbajë edhe një fjalim në parlament, pas takimit që do të zhvillojë me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, ndërkohë që do të pritet në një takim të vecantë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.