Presidentja sllovene mban fjalën në Kuvend: BE pa Ballkanin Perëndimor, s’është Bashkim Europian
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar (Natasa Pirc Musar), theksoi domosdoshmërinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
BE pa Ballkanin Perëndimor nuk është Bashkim Europian, deklaroi presidentja sllovene, teksa shtoi se Shqipëria i ka përmbushur tashmë kushtet për hapjen e klasterit të parë të negociatave.
“BE pa Ballkanin Perëndimor, nuk është Bashkim Evropian, për këtë qëllim anëtarësimi i shpejtë i këtij rajoni duhet të promovohet aktivisht. Sipas mendimit tonë, Shqipëria i plotëson kushtet për hapjen e klasterit të parë të negociatave. Ne besojmë se Shqipëria mund të vendoset dhe të jetë si një shembull si përballet me sfidat e vështira të përmbushjes së kushteve për anëtarësim. Shqipëria duhet të lejohet të tregojë se mund të jetë një tjetër pikë e ndritshme në historinë e procesit të integrimit europian”, u shpreh Musar.
Presidentja sllovene përshëndeti edhe marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, pro shtoi se nevojitet rritje e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën ekonomike.
“Sllovenia mezi pret ditën kur do të përshëndesë Shqipërinë mes vendeve anëtare të BE. Në këtë rrugëtim, vendet tona mund të sigurojnë që bashkëpunimi i tyre të rritet edhe më shumë dhe ne të shfrytëzojmë potenciale, veçanërisht në fushën ekonomike. Është thelbësore që komunitetet e bizneseve të të dy vendeve të takohen më shpesh”, theksoi Presidentja sllovene.
Ndalur te krizat me të cilat përballet bota, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin e Izraelit në Gaza, presidentja sllovene bëri thirrje për diplomaci, si vetmja rrugë drejt paqes.
“Bota në të cilën ne jetojmë është e mbushur plot me sfida, fatkeqësisht përfshin dhe ato që tronditin themelet e normave dhe vlerave me të cilat u rritëm. Dhuna dhe jo paqja po gjejnë rrugën gradualisht në komunitetin ndërkombëtar. U shokuam të gjithë kur dëgjuam për tentativën e vrasjes së kryeministrit sllovak. Në këtë mënyrë nuk u sulmua vetëm politikani, por edhe demokracia si mënyrë jetese. Ndaj këto ngjarje duhet të kuptohen më gjerë, ato janë pjesë e ndryshimeve alarmante në komunitetin ndërkombëtar me pasoja të paparashikuar. Çfarë na identifikon ne, janë tre ideale, e veç demokracisë është edhe ruajtja e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Pa këto nuk ka jetë që ja vlen të jetohet. Komuniteti ndërkombëtar ndodhet mes të mirës dhe të keqes. E mira do të thotë bashkëpunim, respekt reciprok dhe gjithëpërfshirje. E keqja do të thotë ndjekja e verbër e objektivave duke injoruar të tjerët dhe pavarësisht mjeteve të përdorur për të arritur këto. Jetojmë në një kohë krizash globale të rënda, ka vetëm një mënyrë për të përballuar këto sfida, punë në grup. Multilateralizmi është rruga për zgjidhjen e problemeve globale. Nëse i trajtojmë ato individualisht, nuk do jemi në gjendje të shmangim kërcënimet”, deklaroi Musar.
Presidentja sllovene mbërriti në Shqipëri ditën e djeshme, ndërsa vizitën zyrtare në vendin tonë e nisi nga ambientet e Radiotelevizionit Publik Shqiptar, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm, Alfred Peza.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, nën shoqërinë edhe të ambasadorit të Sllovenisë në Tiranë, Peter Japelj iu drejtuan sallës së rinovuar të orkestrës simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, si e ftuar e nderit në koncertin homazh që orkestra e RTSH-së organizoi në nder të kompozitorit të famshëm slloven Bojan Adamiç.
Në ditën e tretë Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar do të vizitojë Durrësin dhe Fierin ku do të zhvillojë takime me kryebashkiakët.