Prezantohet “Drejtësia Digjitale”, Çela: Komponent kyç për suksesin e reformës
Delegacioni i Bashkimit Evropian në bashkëpunim me ambasadën suedeze prezantuan projektin për Drejtësinë Digjitale, e cila synon ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve në mënyrë të shpejtë, transparente e cilësore.
Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit që synon nxitjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, u shpreh se nisma e re do të ketë një rëndësi thelbësore për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Projekti i bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare, BE-ja dhe Suedia pritet të ofrojë produkte të rëndësishme për vendimmarrësit, operatorët e së drejtës, ashtu edhe për qytetarët shqiptarë. Ai vjen në kuadër të Mbështetjes për Shtetin Ligjor përmes Transformimit Digjital dhe konsiderohet një nismë transformuese e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve në Shqipëri.
“Na ka marrë shumë kohë, por ajo që ka rëndësi është që kemi përgatitur kushtet për të nisur një projekt të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri i cili përkon me interesat që lidhen me procesin e integrimit në BE, por i shërben interesave të shtetasve shqiptarë. Ky do jetë një instrument që do shërbejë për ndërtimin e një sistemi drejtësie më eficent, të drejtë, të besueshëm dhe do sigurojë drejtësi në kohë reale, optimale për qytetarët shqiptarë.
Është investim i gjatë në kohë, i rëndësishëm nga pikëpamja financiare, dhe do jetë produkt cilësor. Në kuadër të reformës në drejtësi, do përbëjë komponent kyç në suksesin e kësaj reforme. Angazhimi institucional i Prokurorisë së përgjithshme ka qenë mjaft serioz.
Sfida kryesore e projektit do jetë jo vetëm të prodhojë një sistem efikas që menaxhon atë që ne bëjmë sot, por do jetë sistem që shikon nga e ardhmja, të ndërtojmë sistem me kapacitetet të gjera, fleksibël që të mundësojë dhe të jetë efektiv për një periudhë të gjatë kohore”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm.
Ky i fundit shprehu rezerva mbi sistemin e menaxhimit të çështjeve, që sipas tij, është difektoz.
“Ne kemi përvojë nga një projekt i mëparshëm sistemi i menaxhimit të çështjeve që është difektoz, dhe sot prokuroria e përgjithshme ka një sistem që punon 1/5 e kapacitetit të tij dhe ne duhet të mësojë të mos i përsërisim këto gabime në të ardhmen”, tha Çela.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, nënvizoi se projekti së bashku reformën e mëparshme në drejtësi do të garantojnë një drejtësi cilësore dhe efikase.
“Ka nevojë për qasje dhe kuadër të përbashkët për të shmangur ritmet e ndryshme në zbatimin e ngritjes dhe funksionimit të një sistemi mirëfunksional të menaxhimit të integruar të çështjeve, projekti i BE-së.
Do ndihmojë në dialogun, bashkëbisedimin e përhershëm midis këtyre institucioneve që të kemi zhvillimin e n sistemeve me dy sofwareve të gjykatave dhe prokurorisë të arrijnë një ndërveprueshmëri të plotë.
Që kjo përpjekje të jetë e suksesshme na duhen burimet e nevojshme buxhetore dhe ato të parashikuara nga qeveria, për të përballuar kostot e ngritjes së sistemit të menaxhimit të integruar.
Do punojmë së bashku për të arritur këto objektiva në udhën e pakthyeshme të integrimit në BE.
Ky projekt për sistemin e integruar dhe mbështetja jonë për reformën në drejtësi, ka një pikë të përbashkët, t’u garantojmë qytetarëve shqiptarë dhënie cilësore dhe efikase të drejtësisë”, deklaroi Gonzato.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh se me çeljen e këtij projekti do të krijohen kushtet e duhura për ofrimin e një sistemi drejtësie të shpejtë, transparent dhe cilësor.
Manja theksoi se do të lehtësohet puna e sistemit të drejtësisë dhe një komponent i rëndësishëm si llogaridhënia.
“Sot teknologjia dhe digjitalizimi na bashkojnë në mënyrë universal. Me çeljen e këtij projekti, si bashkëfinancimi i qeverisë shqiptare, BE-së dhe Suedisë, do krijojë kushtet e duhura për ofrimin e shërbimit të drejtësisë në mënyrë të shpejtë, transparente dhe cilësore. Një sistem i integruar i menaxhimit të çdo dosje të regjistruar nga sistemi i drejtësisë, sipas juridiksionit dhe kompetencës ligjore, do jetë i aksesueshëm nga çdo skaj të Shqipërisë. Ky sistem do lehtësojë punën e sistemit të drejtësisë dhe do u mundësojë palëve të interesuar marrjen dhe monitorimin e shërbimeve të drejtësisë, duke realizuar kështu llogaridhënien”, u shpreh Manja.