Proçedohen penalisht 4 shtetas / Dhuna në familje dhe ndërtimet pa leje janë akuzat
Dhuna në familje si dhe ndërtimet pa leje janë 2 shkeljet ligjore që kanë vënë në procedim 4 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin me iniciale E. M., 44 vjeç, banues në Shkodër, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka shkuar te banesa e nënës së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. L., 51 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, pasi dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar me vëllanë e tij, shtetasin A. L., 33 vjeç, banues në të njëjtin fshat. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. L., 52 vjeç, banues në fshatin Bogë, Malësi e Madhe, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. D., 67 vjeç, banues në Tiranë, pasi shtetasi R. L., 40 vjeç, banues në Pukë, ka kallëzuar se 67-vjeçari ka kryer punime ndërtimi në pronën e tij, pa lejen përkatëse. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.