Procedohet drejtoresha e shkollës në Grudë të Re, kishin punësuar një mësues në këtë shkollë, pa dorëzuar raportin mjekësor
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit R. S., 48 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare të fshatit Grudë e Re dhe Gj. D., 66 vjeç, ish-drejtor i kësaj shkolle, sepse pas informacioneve të marra nga një emisioni investigativ dhe verifikimeve të kryera në shkollën 9-vjeçare të fshatit Grudë e Re, Shkodër, ka rezultuar se shtetasi R. M., 59 vjeç, banues në Shkodër, është punësuar si mësues matematike në këtë shkollë, pa dorëzuar raportin mjekësor që tregon aftësinë për punë.
Gjithashtu, për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, edhe për shtetasen D. K., 45 vjeçe, me detyrë mjeke e zonës, pasi më datë 20.03.2024, ka lëshuar një dokument që tregon se shtetasi R. M. është i aftë për punë, pavarësisht se ai është i diagnostikuar me sëmundje mendore.