Procesi i Berlinit, forcohet bashkëpunimi kundër krimit

Fokusi i ministerialit të parë të Procesit të Berlinit për këtë vit ishte  në çështjet e sigurisë, migracionit dhe krimit të organizuar. Ministrat nga Ballkani Perëndimor dhe përfaqësues të lartë nga BE-ja, Komisioni Evropian dhe Britania e Madhe, ranë dakord në një deklaratë qëllimi që të intensifikojnë bashkëpunimin në këto fusha: “Ramë dakord të përmirësojmë shkëmbimin e të dhënave me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të migracionit dhe krimit të organizuar”, sqaroi në fund të takimit ministrja gjermane e punëve të Brendshme, Nancy Faeser. Konkretisht bëhet fjalë për regjistrimin biometrik të refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm.

Lufta kundër krimit të organizuar 

Faeser theksoi nevojën për përfshirjen e autoriteteve financiare dhe sociale në luftën kundër rrjeteve kriminale, me qëllim ndjekjen e pasurive të tyre dhe ndërprerjen e rrjedhave të paligjshme të parave: “Ne do të zbatojmë metodën ‘Follow-the-Money’ edhe në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që autoritetet e zbatimit të ligjit të mund të identifikojnë, bllokojnë dhe konfiskojnë pasuritë kriminale.” Gjithashtu, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht e fokusuar në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, mbetet një prioritet i përbashkët: “Ky aktivitet kriminal duhet të ndalet. Ne duhet të mbrojmë veçanërisht viktimat, gratë dhe fëmijët,” shtoi Faeser, shkruan DW.

Migracioni i parregullt nga vendet e Ballkanit në ulje

Migracioni i parregullt përmes Rrugës së Ballkanit ka rënë me 77% këtë vit, falë bashkëpunimit me Frontex. Sipas të dhënave, deri më tani janë regjistruar rreth 14,700 emigrantë të paligjshëm në BE përmes kësaj rruge. Ministrat shprehën shqetësim për mbylljen e kufijve dhe kërkuan zgjidhje të përbashkëta në kuadër të BE-së. Ministri grek, Nikos Panagiotopoulos, kërkoi një rregullim të përbashkët në kuadër evropian. Ai tha para gazetarëve, se në veprime të njëanshme, si vendosja e kontrolleve kufitare nga ana e Gjermanisë, qofshin këto edhe të përkohshme, nuk e zgjidhin problemin. 

Procesi i Berlinit 

Para 10 vitesh, Gjermania filloi të ashtuquajturin Procesi i Berlinit, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe një sërë vendesh antare të BE-së si Bullgaria, Franca, Greqia, Italia, Kroacia, Austria, Polonia, Sllovenia, si edhe Britania e Madhe. Qëllimi është të ndihmojë këto vende në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar organizatore ishte Shqipëria. Gjermania është organizatorja e këtij viti. Në javët në vazhdim në Berlin zhvillohen një sërë ministerialesh për tema si romët, gender, ekonomi, politika e jashtme, të cilat do të përgatisin samitin e Procesit të Berlinit, që zhvillohet në zyrën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, më 14 tetor. 

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.