Tirana ishte qendra e takimit të ministrave të ekonomisë të vendeve që përfshihen në Procesin e Berlinit, të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, të cilët diskutuan mbi Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR), si një një objektiv drejt Tregut të Vetëm të BE-së.
Në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Procesit të Berlinit, si dhe për përgatitjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet më 16 tetor 2023, në Tiranë, Forumi i Ministrave të Ekonomisë të Procesit të Berlinit pasqyroi arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Sipas njoftimit për shtyp, ministrat diskutuan edhe për avancimin e integrimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e bashkëpunimit ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Në këtë mbledhje u miratuan edhe konkluzionet, të cilat janë publikuar nga ministria e Ekonomisë dhe Financave.
Marrëveshjet dhe afrimi me Tregun Unik të BE-së
Ministrat theksuan se përafrimi i hershëm me Tregun Unik të BE-së është arritur përmes marrëveshjeve tregtare ndërmjet BE-së dhe kandidatëve të saj, përmes Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit dhe përmes CEFTA-s, ndërmjet vetë kandidatëve. Këto marrëveshje janë të rëndësishme për të arritur nivelin e parë të përafrimit ekonomik dhe një zonë të tregtisë së lirë, si hap i parë drejt anëtarësimit në BE.
Ministrat shprehën mbështetje të fortë për përafrimin e mëtejshëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik të BE-së, përmes procesit të zgjerimit të BE-së, si një përfitim i ndërsjelltë për rajonin dhe për BE-në.
Ministrat kërkuan shtrirjen e mëtejshme dhe përshpejtimin e integrimit në programet dhe politikat individuale të BE-së, siç përcaktohet në metodologjinë e negociatave të pranimit në BE.
Plani Ekonomik për Ballkanin Perëndimorë
Zbatimi i mëtejshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon integrimin më të ngushtë të rajonit me BE-në, duke u fokusuar në tregtinë e mallrave, tregtinë elektronike dhe integrimin në zinxhirët e vlerës së qëndrueshme, vlerësohet si një hap i vlefshëm në të ardhmen.
Ministrat kërkuan zgjerim të bashkëpunimit me BE-në, për të krijuar themele mbi shembujt aktualë të rëndësishëm si iniciativa CEFTA – Komuniteti i Transportit (TCT) që paraqet Korsitë e Gjelbërta brenda Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e tyre në pikat e kalimit kufitar (PKK) me BE-në dhe iniciativa e drejtuar nga RCC për uljen e kostove roaming ndërmjet WB6 dhe BE-së.
Ministrat vlerësuan gjithashtu lidhjen e Memorandumeve të Mirëkuptimit midis katër vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tre vendeve fqinje anëtare të BE-së, të cilat mundësuan shkëmbimin elektronik të të dhënave doganore, me qëllim përshpejtimin e zhdoganimit të mallrave dhe reduktimin e kohës së pritjes në PKK.
Ministrat ftuan vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor të lidhin marrëveshje të ngjashme me shtetet e tyre anëtare fqinje të BE-së. Ministrat kërkuan që të bëhen përpjekje të reja për të përmirësuar bashkëpunimin doganor BE – Ballkani Perëndimor, në mënyrë që të zbatohen plotësisht memorandumet përkatëse. Aktualisht, zbatimi i tyre është dëmtuar nga kufizimet në bashkëpunimin doganor.
Rrjeti i transportit
Ministrat përgëzuan vendimin e BE-së për të shtrirë Rrjetin e Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në Ballkanin Perëndimor dhe theksuan domosdoshmërinë e përmirësimit të infrastrukturës rajonale rrugore dhe hekurudhore. Ministrat mirëpritën miratimin e Programit të Transportit të Sigurt dhe të Qëndrueshëm të BE-së në Takimin e Bordit të WBIF në Oslo.
Ministrat mirëpritën punën në udhërrëfyesin për çuarjen përpara të Korsive të Gjelbërta, BE-CEFTA/Ballkani Perëndimor, për vendosjen e menaxhimit të koordinuar të kufirit në pikat e kalimit kufitar BE – Ballkani Perëndimor, si dhe propozimin për një fazë të dytë të Programit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit (TTFP 2). Faza e dytë duhet të mbështesë zbatimin e hartës së masave në lidhje me tregtinë dhe përmirësimin e infrastrukturës të kalimeve kufitare.
Forumi i investimeve
Duke marrë parasysh arritjet në kuadër të programit Rajonal të Zhvillimit të Furnizuesve të zbatuar nga Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF) dhe duke përshëndetur rolin e luajtur nga sektori privat në zbatimin e TPR, Ministrat shprehën mbështetje të fortë për vazhdimin e këtij programi të udhëhequr nga WB6 CIF.
Ministrat mbështetën ndërlidhjen e mëtejshme të këtij programi me mekanizmat mbështetës kombëtarë në rajon, për të siguruar pjesëmarrjen e NVM në zinxhirët e furnizimit shumëkombësh dhe krijimin e partneriteteve të reja rajonale midis kompanive të BP6.
Ministrat përshëndetën vazhdimin e bashkëpunimit përmes Fondit Rajonal të Sfidës (RCF) në Ballkanin Perëndimor të iniciuar nga BMZ dhe KfW dhe të zbatuar nga Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF) për të mbështetur punësimin e të rinjve dhe rritjen ekonomike.
Ata mbështesin vazhdimin e këtij programi përmes formimit profesional dhe krijimit të vendeve të punës për t’u ofruar të rinjve perspektiva më të mira në vendin e tyre.
Plani i ri i zhvillimit
Ministrat mirëpritën njoftimin e fundit të Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen mbi një Plan të Ri të Zhvillimit për rajonin. Ministrat inkurajuan propozimin për të punuar së bashku për projekte të përbashkëta të frymëzuara nga suksesi i nismave aktuale të BE-së në transformimin dixhital dhe axhendën e gjelbër si WiFi4EU, 5G, korridoret ndërkufitare dhe lëvizshmëria e qëndrueshme dhe e zgjuar.
Ministrat ranë dakord që kjo politikë e re e BE-së duhet të ofrojë mjete efektive dhe të orientuara drejt rezultateve për t’i afruar qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik të BE-së.
Propozimet e ministrave të Ballkanit Perëndimor
Ministrat propozuan gjithashtu disa iniciativa që të futen në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si p.sh:
Bashkëpunimi ekonomik domosdoshmëri për integrimin
Ministrat përsëritën se Plani i Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal është përgatitur për të nxitur zhvillimin e rritjes ekonomike të rajonit dhe për ta sjellë atë më afër BE-së.
I bazuar në katër liritë – lëvizjen e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit – ai lehtëson lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve përmes programeve të njohjes, zvogëlon kohën e pritjes në PKK dhe Pikat e Përbashkëta të Kalimit (PPK) me 30%, rrit lëvizshmërinë dhe ofron pagesa më të lira dhe më efikase.
Deri më sot, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nënshkruar një marrëveshje roaming, tre marrëveshje lëvizshmërie, ka krijuar Korridoret e Gjelbërta dhe Korsitë e Gjelbërta, ka miratuar rregulla të reja kalimtare të origjinës dhe dy programe kuadër të njohjes për operatorët ekonomikë të autorizuar dhe për tregtinë e frutave dhe perimeve.
Ministrat sollën në vëmendje se finalizimi i Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë për përmirësimin e konkurrencës, mjedisin e biznesit dhe thellimin e integrimit ekonomik rajonal.
Përfundimi i këtyre hapave do të rriste ndjeshëm rritjen ekonomike dhe atraktivitetin e Ballkanit Perëndimor si destinacion për investime dhe do ta afronte atë me Tregun Unik të BE-së.
Ministrat vlerësuan punën teknike të bërë në kuadër të CEFTA-s, e cila solli shtatë vendime të miratuara të Komitetit të Përbashkët, së bashku me shtatë vendime të tjera të KP-së, si dhe një Protokoll Shtesë që aktualisht po negociohet. Për të përfituar plotësisht nga këto marrëveshje, Ministrat kërkuan që Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s të miratojë me shpejtësi vendimet e dakordësuara dhe palët e CEFTA-s t’i zbatojnë ato pa vonesë.
Përshpejtimi i programeve
Ministrat kërkuan përshpejtimin e shtrirjes së masave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilat do të sjellin përfitime konkrete dhe të drejtpërdrejta për kompanitë dhe njerëzit në rajon.
Kjo duhet të përfshijë njohjen e programeve të vlefshme të AEO, rezultatet e testimit për produktet industriale, stabilimentet ushqimore të miratuara nga BE në rajon, licencat për agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë dhe kualifikimet për profesionet e licencuara si inxhinierët, infermierët, mamitë, farmacistët dhe kirurgët veterinarë.
Gjithashtu, duhet të miratohet dhe zbatohet një paketë që lehtëson tregtinë elektronike dhe shkëmbimi elektronik i të dhënave duhet të shtrihet në të gjitha dokumentet tregtare.
Ministrat vlerësuan rolin e rëndësishëm që luan analiza e politikave për çështjet e konvergjencës dhe zhvillimit, të ofruara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare si Banka Botërore, OECD, BERZH, etj.
Raportet e tyre të bazuara tek të dhënat, kanë qenë vendimtare për informimin e politikëbërjes për bashkëpunimin rajonal. Si hap i mëtejshëm, Ministrat propozuan ngritjen e një qendre të dedikuar, e cila do të vëzhgojë ritmin dhe rrugën e konvergjencës rajonale.
Ministrat përgëzuan Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për mbështetjen e zbatimit të agjendave të politikave në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe kontributin në konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Gjithashtu, vlerësuan punën e udhëhequr nga RCC në përfundimin e negociatave për Marrëveshjen për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale – infermiere, mami, kirurgë veterinare dhe farmacistë, si dhe kërkuan nënshkrimin e marrëveshjes në kuadër të Samitit të Tiranës.
Sfidat
Ministrat reflektuan mbi sfidat kryesore në zbatimin e axhendës rajonale të integrimit, e cila do të përshpejtojë konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.
Ata parashtruan një listë angazhimesh për t’u dërguar deri në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, sipas aneksit bashkangjitur. Integrimi i sistemeve të pagesave të rajonit për të lehtësuar tregtinë dhe për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë
Ministrat pranojnë rolin kritik të sistemeve të pagesave për funksionimin e tregjeve.
Sistemet e pagesave
Pagesat me kosto dhe me efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe i lejojnë firmat konkurruese të rriten dhe u ofrojnë konsumatorëve akses më të lehtë në mallra dhe shërbime.
Një sistem i qëndrueshëm dhe efikas pagesash mbështet zhvillimin e ndërmjetësimit financiar, thellimin e tregjeve financiare dhe rritjen e stabilitetit financiar duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre.
Ministrat njohën rëndësinë e Zonës Unike të Pagesave në Euro të Bashkimit Evropian (SEPA), e cila ka për detyrë të sjellë në mënyrë efektive pagesat e brendshme dhe ndërkufitare brenda BE-së në të njëjtin nivel kostoje, efikasiteti kohor dhe sigurie. Hapja e SEPA-s për jo anëtarët e BE-së përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në.
Gjithashtu, Ministrat vunë në dukje se Rregullorja e Bashkimit Evropian për Pagesat Ndërkufitare (924/2009) siguron që tarifat e pagesave për pagesat ndërkufitare të mos jenë më të larta se ato për pagesat e brendshme dhe bëjnë thirrje që CEFTA të krijojë kornizë të ngjashme për rajonin.
Në këtë drejtim, Ministrat do të ndjekin nga afër ecurinë e projektit, të financuar nga BE-ja dhe të zbatuar nga Banka Botërore, që synon arritjen e pagesave të ndërveprueshme dhe të shpejta brenda rajonit dhe me BE-në.
Gjithashtu, ata do t’i kushtojnë vëmendje plotësimit të kritereve të pjesëmarrjes në infrastrukturën e pagesave të Eurosistemit, në mënyrë që të sigurojnë përpunim të sigurt dhe efikas të pagesave, si dhe kushte të barabarta. Ky proces do të kërkojë asistencë teknike për ngritjen e kornizave dhe infrastrukturës së nevojshme rregullatore në përputhje me kushtet e SEPA-s dhe kriteret e Eurosistemit.
Duke marrë parasysh këto argumente, Ministrat shprehën mbështetjen e plotë politike dhe u zotuan të prioritizojnë aktivitetet që synojnë përgatitjen e anëtarësimit në SEPA në përputhje me kërkesat e pranueshmërisë së Këshillit Evropian të Pagesave.
Me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian, WB6 bien dakord të avancojnë me përmbushjen e kërkesave të SEPA-s dhe në mënyrë ideale t’i bashkohen SEPA-s si një bllok i përbashkët.
Përveç anëtarësimit në SEPA, ministrat kërkuan vendosjen e pagesave të menjëhershme në rajon, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve, zhvillimin e mëtejshëm të industrisë FinTech në rajon, duke mundësuar përdorimin e pagesave të iniciuara nga kodi QR dhe miratimin e një kuadri për kufizimin e kostos së pagesave brenda WB(6).
Kjo do të siguronte ndërveprimin e shërbimeve ndërkufitare të bazuara në ID elektronike dhe dokumente dixhitale. Të gjitha aktivitetet janë të koordinuara në kuadër të Grupit të Punës për Tregjet Financiare të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe me mbështetjen e Sekretariatit të CEFTA-s.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim Ambasadorin e BE në Shqipëri,…
Tirana zyrtare ka shprehur shqetësim serioz lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën…
Katër efektivë të “Shqiponjave”, në policinë e Shkodrës, janë rikthyer në liri pasi u arrestuan…
Dy ndër 10 fëmijë në shkollat e Shkodrës kanë raportuar se bullizohen. Shifrat e studimit…
Shkodra me Fakultet të Shkencave Mjekësore Teknike, analiza e regjitrimeve në të 3 ciklet e…
Dita e Alfabetit është përkujtuar sot nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari. Gjatë hytbes…
This website uses cookies.