“Prodhimi i armëve made in Albania“ për konsultim, krijohet shoqëria shtetërore e kësaj industrie
Nuk ka shumë informacion lidhur me shoqërinë shqiptare KAYO, për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.
Një projektligji i majit të këtij viti synoi të riaktivizonte, përmes investimeve për të zhvilluar industri, pikërisht një shoqëri shqiptare. Nëpërmjet kësaj deklarate rreth dy muaj më parë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i parapriu “rizgjimit” të industrisë se prodhimit të armëve ushtarake në Shqipëri.
Ministri Peleshi njoftoi atëherë projektligjin “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, që kishte për qëllim të shërbente si akt themelimi për shoqërinë “KAYO sh.a”.
Bëhej fjalë për krijimin e një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare, me të gjitha kapacitetet e nevojshme, për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në 6 qershor Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një tjetër projektligj me titull “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Projekti i ri nuk shoqërohet me relacion shpjegues, por në nenet e tij mësohet se ka për qëllim të rregullojë industrinë e prodhimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe tregtimit të tyre, me qëllim fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake, nëpërmjet sigurimit të armëve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake për Forcat e Armatosura ose strukturat e tjera të sigurisë që i përdorin ato.
Ministria përgjegjëse për mbrojtjen është kujdesur të tregojë se ky ligj ka për qëllim dhe rregullimin e veprimtarisë të të gjithë subjekteve që brenda këtyre fushave zhvillojnë aktivitet ekonomik në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo arrihet, sipas projektit, nëpërmjet krijimit dhe funksionimit të autoritetit rregullator të industrisë ushtarake të mbrojtjes;
Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara një industri ushtarake e cila sot nuk ushtron veprimtarinë e saj dhe si rrjedhojë nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të forcave tona të armatosura dhe prej vitesh këto kërkesa dhe nevoja plotësohen në tregun ndërkombëtar.
Mësohet jozyrtarisht se disa shtete mike kanë kërkuar të investojnë në Shqipëri, menjëherë pas riaktivizimit të industrisë dhe një grup inxhinierësh të njohur shqiptarë kanë ndërmarrë një studim për rivendosjen në punë të industrisë shqiptarë të prodhimit të armeve dhe municioneve.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi