Profesori australian ngre alarmin: Ndryshimet klimatike sollën disa prej fatkeqësive më të rënda gjatë 2023-it
Studiuesit australianë kanë zbuluar se nxehtësia e madhe ka ndikuar thellësisht në ciklin global të ujit në vitin 2023, duke sjellë stuhi të rënda, përmbytje dhe thatësira.
Një studim i Universitetit Kombëtar Australian i botuar të enjten pohon se rritja e temperaturave të detit dhe ajrit të shkaktuar nga djegia e lëndëve fosile kanë intensifikuar musonet, ciklonet dhe sistemet e tjera të stuhisë.
Sipas studimit, klima e botës është gjithnjë e më shumë mes ngjarjeve ekstreme. Gjithashtu, rezulton në stuhi të forta dhe ciklonet që hedhin më shumë ujë se sa dikur dhe thatësira zhvillohet shumë më shpejt.
Djegia e lëndëve fosile është identifikuar nga autorët e studimit si “kontribuuesi më i madh në ngrohjen globale”.
Ata thonë se disa nga fatkeqësitë më të këqija të vitit 2023 ishin të lidhura me ciklonet jashtëzakonisht të fortë që sollën reshje masive në Libi, Mozambik, Mianmar, Zelandën e Re dhe Australi.
Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta përkeqësuan thatësirat e gjata në Amerikën e Jugut, pjesë të Afrikës dhe Mesdheut.
Autori kryesor, Albert Van Dijk, profesor në Shkollën e Mjedisit dhe Shoqërisë Fenner në Kolegjin Kombëtar të Shkencës Universitare Australiane tha se ndryshimi i klimës po ndikon thellë në ciklin global të ujit.
“Nga njëra anë, ne shohim se stuhitë e forta dhe ngjarjet e reshjeve bartin më shumë ujë sesa dikur. Pra, ciklonet hedhin më shumë ujë dhe fillojnë të sillen në mënyrë të çrregullt që i bëjnë ato të ngadalësohen, gjë që ndodhi, për shembull, në Australi, por edhe në vende të tjera, duke hedhur shumë ujë në një vend dhe duke shkaktuar përmbytje masive. Nga ana tjetër, ne po shohim që thatësira zhvillohet shumë më shpejt”, tha Van Dijk për Zërin Amerikës.
Ekipi hulumtues në Australi përdori të dhëna nga mijëra stacione tokësore dhe satelitë për të ofruar informacion në kohë reale mbi reshjet, temperaturën e ajrit dhe lagështinë në ajër.
Stuhi të forta kanë goditur disa pjesë të Australisë lindore javët e fundit, ndërsa pjesë të tjera të vendit kanë luftuar me zjarret.
Në ditët e para të verës, në fillim të dhjetorit, valët e të nxehtit prekën zona në çdo shtet dhe territor, përveç ishullit të Tasmanisë.
Rritja e fatkeqësive natyrore në Australi kanë ngritur shqetësime midis politikanëve, aktivistëve mjedisorë dhe shkencëtarëve për ndikimet e ndryshimeve klimatike.
Qeveria e Australisë ka vendosur një objektiv për të ulur emetimet e karbonit me 43% nga nivelet e vitit 2005 deri në vitin 2030 dhe për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050.