Programi bërthamor, zyrtari i OKB-së: Duhet zgjidhje e menjëhershme me Iranin
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi do të vizitojë Teheranin sot për bisedime vendimtare mbi programin bërthamor të Iranit, duke paralajmëruar pak përpara udhëtimit të tij se hapësira për manovrim po ngushtohet.
Vizita e tij vjen vetëm dy ditë pasi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se Republika Islamike është më e ekspozuar se kurrë ndaj sulmeve ndaj objekteve të saj bërthamore.
Izraeli ka akuzuar prej kohësh Iranin se kërkon të krijojë armë bërthamore, një pretendim që Teherani e ka hedhur poshtë.
“Hapësirat për manovrim kanë filluar të tkurren”, tha Grossi në një intervistë me AFP përpara vizitës së tij, duke shtuar se është e domosdoshme të gjenden mënyra për të arritur zgjidhje diplomatike.
Ndërsa IAEA lejohet të kryejë inspektime në Iran, Grossi thekson nevojën për më shumë transparencë në programin bërthamor të Iranit, duke pasur parasysh shkallën dhe ambicien e tij.
“Ata kanë shumë materiale bërthamore që mund të përdoren përfundimisht për të krijuar armën bërthamore”, tha shefi i IAEA për CNN, duke shtuar se “ata nuk kanë një armë bërthamore në këtë pikë”.