Programi i atletikës në lojërat e Parisit
Lojërat Olimpike Verore Paris 2024 do të ngrenë zyrtarisht siparin më 26 korrik, por për të shijuar shfaqjet e Mbretëreshës së Sporteve, atletikës, duhet pritur edhe gjashtë ditë të tjera. Nga 1 deri më 11 gusht, sytë e gjithë botës do të përqendrohen te sporti kryesor olimpik, në të cilin do të marrin pjesë mbi 2000 sportistë nga 200 skuadra. Të gjitha finalet e garave në stadiume do të zhvillohen gjatë mbrëmjeve, ndërsa garat në rrugë do të zhvillohen në mëngjes. Për herë të parë në një Olimpiadë, programi i atletikës do të mbyllet me maratonën e femrave. Eventet brenda stadiumeve do të zhvillohen në Stade de France, i cili ka një piste plastike Mondotrack të përshtatur pikërisht për Lojërat. Gara e maratonës do të nisë në Hotel de Ville, që është Bashkia e Parisit, dhe do të mbyllet në les Invalides, një kompleks ndërtesash në njësinë administrative numër 7 të Parisit që përmban muze dhe monumente, të gjitha të lidha me historinë militare të Francës. Gara përshkon shumë nga vendet dhe objektet e njohur të kryeqytetit francez. Janë gjithsej 48 disiplina në atletikë, në të cilat do të ndahen 144 medalje. Do të jenë Lojërat e para Olimpike në histori me numër identik disiplinash për meshkujt dhe femrat. Midis 2000 atletëve pjesëmarrës, një numër që në fakt përmban edhe atletët rezervë, përfshihen edhe 36 fitues medaljesh të arta në Lojërat e fundit Olimpike, në Tokio.