Programi i RTSH Shkodra për Vitin e Ri / Edicione speciale, humor, këngë dhe nostalgji, pjesë e ekranit të shkodranëve
Qytetarët kanë zgjedhur t’i kalojnë në mënyra nga më të ndryshmet momentet festive të ndërrimit të viteve megjithatë në çdo rast mbetet i pandarë ekrani i televizorit. Me përkushtimin dhe punën e palodhur stafi i RTSH Shkodra përveç edicioneve informative të pandërprera ka zgjedhur të jetë pranë shikuesve të saj me një programacion që në thelbin e vet ka këngën shkodrane si një vlerë e patjetërsueshme e trashëgimisë së pasur kulturore të këtij qyteti.
Programacioni festiv i Vitit të Ri në RTSH Shkodra, sjell për shikuesit e saj njërin nga koncertet më të bukur të “Dhjetorit Festiv”, atë të artistit Frederik Ndoci dhe këngëtares Elsida Sinaj, zhvilluar në sheshin para Bashkisë Shkodër ku këndohen këngë të një repertori të zgjedhur me kujdes nga dy artistët. Një tjetër ekskluzivitet i RTSH Shkodra është edhe buqeta me këngë shkodrane e kënduar nga këngëtarët Bert Naraçi dhe Blerta Cina. Atmosfera e bukur do të vijojë me një tjetër ekskluzivitet që është ai i koncertit tradicional të fundvitit “Ndërmendje”, zhvilluar në teatrin “Migjeni” ku protagoniste absolute është Orkestra Simfonike e Shkodrës dhe disa nga artistët më të mirë të qytetit. I plotë, ai do të vijë në datën 2 janar në orën 20:30.
Mjeshtrat më të mëdhenj të humorit shkodran, pjesë e estradës ndër vite nuk do të mungojnë në këto ditë festive në ekranin e RTSH Shkodra përmes nostalgjisë së skeçeve dhe filmave komedi, prodhime të RTSH dhe Arkivit të tij. Dokumentarët, filmat, koncertet do të plotësojnë programacionin e RTSH Shkodra dedikuar ditëve të para të vitit 2024 bashkë me urimin që ai të jetë një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen e në veçanti Shkodrën dhe banorët e saj.