Programi i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, Zamira Gjini: Trajnimet nisin në mars me mësuesit e fillores
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, nën praninë edhe të kryeministrit Edi Rama, prezantoi të martën (30 janar) Programin e e ri të Zhvillimit Profesional të Mësuesve. Në studion e RTSH24, Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë së Zhvillimit për Arsim dhe Sport, Zamira Gjini ka sqaruar në detaje se çfarë përmban ky program dhe synimet.
Gjini u shpreh se është një program kombëtar, qëllimi i të cilit është përmirësimi i cilësisë në arsimin parauniversitar. Ajo theksoi se ky program përfshiën disa komponentë që lidhen veçanërisht me ndryshimet në fushën e teknologjisë.
“Ka si qëllim të përmirësojë standardet e mësimdhënies së mësuesve në arsimin parauniversitar. Në fakt qëllimi final është të përmirësojë cilësinë në arsimin parauniversitar dhe të përmirësojë arritjet e nxënësve. Është një program kombëtar dhe do të përfshijë disa komponentë që lidhen me ndryshimet dhe zhvillimet që ndodhin sot ën shoqërinë tonë dhe sidomos në fushën e teknologjisë. Këto komponentë janë të shtrirë në fushën e dixhitalizmit, për të aftësuar mësuesit të përmirësojnë kompetencën dixhitale, si të përdorin këto metodat e teknologjisë në orën e mësimit. Komponent tjetër është gjithë përfshirja, mësuesit do trajnohen si t’i përfshijnë nxënësit që ata të dinë si të zhvillojnë të menduarit kritik. Ne do fokusohemi te grupi i mësuesve që japin lëndën e gjuhës shqipe, matematikë dhe lëndët e teknologjisë së informacionit, por edhe mësuesit e ciklit fillor që do trajnohen si të përdorin teknologjinë në orët mësimore në të gjitha lëndët”, u shpreh Gjini.
Ajo bëri me dije se programi i trajnimit do të fillojë në mars të këtij viti dhe do të nisë me mësuesit e ciklit fillor.
“Ky program trajnimi do fillojë në mars të vitit 2024, do shtrihet gjatë këtij viti dhe do vijojë edhe në vitin 2025. Do fillojë me mësuesit e ciklit fillor. Ne do shohim edhe njëherë të gjithë paketën e kornizës së kualifikimit të mësuesve dhe do forcojmë edhe rolin e mësuesit në shkollë. Po punojmë edhe për një portofol dixhital të mësuesit, ku çdo gjë do jetë e dixhitalizuar, çdo trajnim që ai do të marrë, certifikatë dhe në çdo moment do kemi një paraqitje të mësuesit përmes teknologjisë për performancën e tij në fushën e mësimdhënies”, theksoi Gjini.