Progres-raporti i KE: Shqipëria përparim kundër korrupsionit, mbështesim objektivin për mbylljen e negociatave deri në 2027

Komisioni Evropian ka vlerësuar arritjet e deritanishme të Shqipërisë në progres-raportin e saj për 2024, sidomos progresin e bërë në luftën kundër korrupsionit. Teksa vlerëson rezultatet e reformës në drejtësi, KE rekomandon se Shqipëria duhet të bëjë edhe më shumë në fushën e sundimit të ligjit.  

Gjithashtu në progres-raport mbështetet ambicia e qeverisë shqiptare për të përmbyllur negociatat për anëtarësimin deri në fund të 2027.

Teksa përshëndet hapjen e negociatave për grupkapitujt themelore, KE thekson se nëse vijohet me ritmet pozitive Komisioni mbështet hapjen e negociatave për grupin 6  “Marrëdhëniet me Jashtë” deri në fund të këtij viti.

Progres raporti vlerëson përafrimin e politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE, ku shton se kjo dëshmon se është një partner i besueshëm ndërkombëtar.

“Në Shqipëri, autoritetet kanë deklaruar vazhdimisht angazhimin e tyre politik për integrimin në BE si prioriteti kryesor strategjik i vendit dhe kanë ruajtur një nivel të lartë ambicie për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit. Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat nën grupin themelor, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe procesin e vetingut, përfundimi i të cilit janë rezultatet e mira në çështjet e antikorrupsionit dhe duke rritur kapacitetet e saj në hetimet financiare kundër krimit të organizuar. Angazhimi aktiv i Shqipërisë gjatë mandatit të saj si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deri në fund të vitit 2023, si dhe të dhënat e saj të përafrimit të plotë me politikën e përbashkët dhe të jashtme të sigurisë së BE-së, dëshmojnë për zgjedhjen e saj strategjike për anëtarësimin në BE dhe rolin e një partneri të besueshëm ndërkombëtar. Pas konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit në korrik 2022, seancat e shqyrtimit për të gjashtë grupet e acquis të BE-së përfunduan në nëntor 2023. Në fund të vitit 2023, Komisioni i paraqiti Këshillit raportin e vlerësimit të standardeve hapëse, ku ai arriti në përfundimin se Shqipëria kishte përmbushur kërkesat për hapjen e negociatave për grupin themelor. Komisioni përshëndet hapjen e negociatave mbi grupin themelor në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor, e cila shënoi një moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit. Komisioni gjithashtu mbështet hapjen e negociatave për grupin 6 – Marrëdhëniet me Jashtë deri në fund të vitit nëse trendi pozitiv vazhdon. Qeveria shqiptare sinjalizoi objektivin e saj për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe Komisioni është i gatshëm të mbështesë këtë objektiv ambicioz. Për këtë qëllim, është thelbësore që autoritetet të intensifikojnë më tej ritmin e reformave të orientuara drejt BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit, duke konsoliduar zbatimin e ligjit, luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe promovimin e të drejtave themelore, duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronës dhe pakicat”, shkruhet në progres-raport.

KE vlerëson se është vënë re përparim në reformat themelore në Shqipëri si funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike, që përbëjnë bazat e procesit të anëtarësimit në BE.

“Konsolidimi i rezultateve në këto fusha është thelbësor për vendet në zgjerim për të siguruar përparim në rrugët e tyre përkatëse drejt anëtarësimit. Siguria juridike dhe qeverisja e mirë janë gjithashtu baza për rritjen e konkurrencës dhe krijimin e kushteve për investime të huaja direkte, përparim socio-ekonomik dhe prosperitet. Institucionet e qëndrueshme janë gjithashtu thelbësore për pajtueshmërinë me acquis të BE-së në të gjitha fushat e politikave, duke përfshirë menaxhimin e ndihmës së konsiderueshme financiare që BE-ja ofron. Gjatë vitit të kaluar, përparimi në reformat e lidhura me bazat u vu re veçanërisht në Mal të Zi, Shqipëri, Moldavi dhe Ukrainë”, thuhet në raport.

Në progres-raportin e KE është përqendruar edhe te qëndrimi i vendeve lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, ku thotë se “Shqipëria ruajti harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.