Projekt për të shmangur përmbytjet / Nis puna për ndërtimin e argjinaturës në Bardhaj
Mjetet e Bordit të Kullimit Lezhë kanë zbarkuar këtu prej javës së kaluar dhe kanë nisur punën për ndërtimin e argjinaturës në Bardhaj, një investim që po bëhet me fondet e Ministrisë së Bujqësisë. Ngritja e argjinaturës së re bëhet me një gjatësi rreth 200 metra , gjatë bregut të lumit Kir . Ndërtimi i saj do të mbrojë tokat nga erozioni si dhe do të eleminojë përmbytjen e zonës në fjalë e cila ndër vite përballet me një fenomen të tillë. Koha e favorshme ka ndihmuar firmën që po kryen punimet që të ecë me ritme të kënaqshme. Fillimisht ka nisur mbushja me gurë përgjatë gjithë argjinaturës.
Projekti pritet të përfundojë në pak muaj, ndërsa me përfundimin e saj pritet të marrë zgjidhje edhe një nga problemet kryesore të kësaj zone gjatë dimrit. Ky investim për argjinaturën e lumit Kir erdhi si nevojë imediate për të shmangur rrezikun e permbytjeve në këtë zonë të territorit të Shkodrës. Edhe gjate viteve te kaluara, lumi Kir ka krijuar jo pak probleme për banorët e Bardhajve, ndërkohë që sot me këtë investim rreziku do të minimizohet.