Categories: LajmePolitikë

Projekt- rezoluta për Kosovën, PS dhe ‘Rithemelimi’ arrijnë konsensus, PD kundër

PS dhe një pjesë e opozitës parlamentare, mësohet se kanë rënë dakord për një rezolutë të përbashkët lidhur me Kosovën. Burime parlamentare nga pozita dhe opozita bën të ditur se pas disa debatesh është rënë dakord për një projekt-rezolutë të përbashkët që dënon sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës.

Por PD-ja deklarohet kundër dakordësisë mes PS-së dhe “Rithemelimit”, lidhur me këtë projekt- rezolutë të përbashkët.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shprehur zhgënjim për tekstin e projekt- rezolutës, duke e komentuar dakordësinë si “vendime të një “Aleance të Heshtjes” mes ‘Rithemelimit’ dhe PS-së. Për miratimin e projekt- rezolutës Kuvendi do të zhvillojë një seancë të posaçme të enjten.

Projekt- rezoluta

Dokumenti i dakordësuar mes PS-së dhe një pjese të opozitës thekson se: “Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës; në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon; thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023; Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023.”

Kuvendi i Shqipërisë deklarohet se: “Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës; Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.”.

PD kundër

Por nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, në reagimin e tij deklaron se “për turp ‘Rithemelimi’ dhe PS paskan rënë dakort të kalojnë një Rezolutë vetëm me tre pika për Kosovën, ku njëra prej të cilave është citimi i Rezolutës së Kosovës.”

“Kosova në rezolutën e saj aq ka mundur të thotë. Pozicioni i Kosovës aq i brishtë ndërkombtarisht aq i ka lejuar të thotë. Por Shqiperia, e njohur ndërkombëtarisht, në çdo institucion ndërkombëtar dhe të sigurisë, anëtare e OKB-së, e Nato-s duhet të buçiste për Kosovën e në mbrojtje të Kosovës.”, shkruan Çollaku.

Sipas tij, Kuvendi Shqipërisë nuk ka zë për Njohjen Reciproke mes Serbisë e Kosovës si elementi kyç i paqes në Ballkan dhe se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka zë për armatimet ushtarake ruse që furnizohet Serbia.

“Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të heshtë, pasi ‘Rithemelimi’ dhe PS kanë dakordësuar për të mos thënë agjë. Sot si deputet i Kuvendit ndihem i turpëruar për këtë “Aleancë të Heshtjes” në dëm të Kosovës dhe Paqes dhe Stabilitetit ne Ballkan.”, shkruan Çollaku.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Investime në Dajç – Bashkia Shkodër pastron kolektorin kullues dhe instalon ndriçimin

Bashkia Shkodër po  investon në pastrimin e kolektorit kullues, në fshatin Rrushkull, Njësia Administrative Dajç.…

48 minutes ago

Brdaric: Një sfidë e madhe nesër – Ndeshja me Elbasanin për Kupën, trajneri i Vllaznisë shfaqet i matur

Vllaznia ndeshet sërish me Elbasanin, sërish në “Loro Boriçi”, por kësaj here, për Kupën e…

57 minutes ago

Situata virale – Hysa: Kurba ka pësuar një renie të lehtë

Ky dimër ka qënë i  vështirë për virozat stinore, të cilat kanë prekur thuajse çdo…

1 hour ago

3 vite luftë Rusi–Ukrainë, Rama: “Autopiloti” i SHBA është fikur, Europa të reflektojë thellë

Europa duhet të ndryshojë qasje për sa i përket Ukrainës dhe të tregohet më diplomatike…

1 hour ago

Amortizimi i rrjetit elektrik – Banorët e fshatit Mali Hebe: Vazhdimisht kemi shkëputje të energjisë

Shtylla që rrezikojnë të bien dhe tela korenti që janë gati thuajse përtokë. Përveçse kanë…

1 hour ago

Turizmi sfida për ekosistemin e liqenit – Ambjentalistët: Aktiviteti njerëzor kërcënues për florën dhe faunën e liqenit të Shkodrës

Pikat e njohura turistike të breg liqenit të Shkodrës, Shiroka dhe Zogaj, po frekuentohen gjithnjë…

1 hour ago

This website uses cookies.