Projekti pilot, 82 mësues rezervë do të zëvendësojnë kolegët
Duke nisur nga java e ardhshme, 30 shkolla në të gjithë vendin do të pilotojnë programin e mësuesve në dispozicion, që do të thotë se në rast të ndonjë mungese nga ana e arsimtarëve do të bëhet menjëherë i mundur zëvendësimi i tyre me mësues të posaçëm.
“Nisma është ndërmarrë me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar në sistemin arsimor parauniversitar, që nxënësit të mos humbin asnjë orë nga orari dhe procesi mësimor. Zyra vendore arsimore do të emërojë mësuesit që kanë mbetur pa ngarkesë mësimore në fillim të vitit shkollor, por në mungesë të tyre do të marrë aplikantë nga portali mësues për Shqipërinë,” shprehet Rezarta Basha, përgjegjëse e sektorit të kurrikulës në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.
Mësuesit në dispozicion do të japin edhe orë përforcuese në lëndë të caktuara për t’u ardhur në ndihmë edhe nxënësve me arritje të ulëta.
Do të jenë drejtuesit e shkollave që do të identifikojnë grupet e nxënësve me nevojë për përforcim dhe do të hartojnë orarin për to për secilën javë mësimore.
“Qëllimi i kësaj skeme pilotimi është të përforcojnë edhe njohuritë e tyre. Ato klasa ose nxënës që kanë boshllëqe, me anë të këtyre mësuesve në dispozicion do të rritet edhe niveli akademik i klasës,” shton znj. Basha.
Ky program i ri do të përfshijë 82 mësues në 30 shkolla të ndryshme, me qëllim që institucionet arsimore të zhvillojnë të gjitha orët mësimore me prani të mësuesve, për të mos krijuar boshllëqe te nxënësit.