Projekti “SEMP” për ndriçimin LED – Zv/ Ambasadori i Zvicrës vizitë në Shkodër
Zv/ Ambasadori i Zvicrës në vendin tonë , Arnold Philipp ka mbërritur në Shkodër, në kuadër të projektit SEMP që është implementuar për ndriçimin LED në disa prej rrugëve të qytetit.
Ai është pritur nga N/Kryetari i Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, dhe drejtues të tjërë të bashkisë, ku kanë parë nga afër implementin e këtij projekti në qytetin e Shkodrës.
Për Zv/Ambasadorin Arnold Philip, Shkodra është një nga bashkitë ku vemendja e Zvicrës ka qënë e përqendruar dhe do të jetë edhe në të ardhmen.
“Për mua është një kënaqësi të jem në Shkodër sonte dhe t’ ju përgëzoj për përfundimin e suksesshëm të iniciativës për ndriçimin rrugor me efikasitet energjetik në qytetin e Shkodrës, si pjesë e projektit tonë të përbashkët të Smart Energy .
Është e rëndësishme të theksohet që Zvicra dhe Shkodra kanë një partneritet të gjatë dhe të frytshëm mbi çështje të ndryshme, mbi qeverisjen lokale, decentralizimin, zhvillimin rajonal, furnizimin me ujë dhe energjinë, gjatë dy dekadave të fundit.
Ndriçimi rrugor me efikasitet energjetik jo vetëm që kontribuon në hapësira publike të sigurta dhe miqësore për përdoruesit, por gjithashtu reflekton angazhimin e qartë të Shkodrës për përdorimin e energjisë me efikasitet dhe përpjekjet për zbutjen e ndryshimeve klimatike. Në këtë sens, iniciativat për ndriçimin rrugor janë vetëm pjesa më e dukshme e një transformimi më të thellë drejt efikasitetit të shtuar energjetik, të cilin Zvicra është krenare që e mbështet”, u shpreh Zv/Ambasador i Zvicrës,Arnold Philipp .
Ndriçimi efiçent me teknologjinë LED për 11 rrugët e Shkodrës bazuar në programin SECO dhe fondet e Bashkisë Shkodër ka një vlerë prej 550 mijë franga zvicerane dhe ka sjellë një komfort shumë të madh për përdoruesit e rrugës, ndërkohë që sjell edhe kursim energjie dhe monetar për buxhetin e Bashkisë Shkodër.