Prokurimet Publike, qeveria harton strategji të re për mënyrën e funksionimit, risitë e ligjit
Qeveria ka hartuar një strategji të re Kombëtare Për Prokurimin Publik, i cili do të përfshijë periudhën 2024-2030, në kuadër të Planit të Veprimit 2024-2027. Prokurimi Publik, në këtë rast, i referohet procesit në të cilin autoritetet/entet kontraktore blejnë mallra, punë ose shërbime nga operatorët ekonomikë.
Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030, përfaqëson dokumentin themelor strategjik dhe merr parasysh kuadrin ligjor ekzistues dhe atë të pritshëm në përputhje me objektivat që duhen përmbushur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vizioni 2030, është garantimi i zbatimit të rregullave të legjislacionit në fushën e prokurimit publik.
Në këto kushte, prioritet mbetet respektimi i parimeve të tilla si mos diskriminimi, trajtimi i barabartë, mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive, rritja e transparencës etj., të ndërlidhura me luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e shëndetit dhe konsumatorit, etj.
“Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030, është në koherencë të plotë me objektivat ndërkombëtarë për zhvillim të qëndrueshëm, me kuadrin ligjor të BE-së në këtë fushë si edhe me angazhimet e ndërmarra nga pala shqiptare në takimet e përbashkëta me palën evropiane, etj.”, thuhet në dokuementin e hartuar nga qeveria, që publikohet nga rtsh.al.
Procesi i hartimit
Procesi i hartimit të strategjisë, i mbështetur nga asistenca teknike e SIGMA-OECD, ka reflektuar edhe iniciativa të nisura dhe jo të finalizuar pjesë e Strategjisë së Prokurimit Publik 2020-2023, si dhe detyrimet në kuadër të procesit të integrimit dhe sidomos rekomandimet e BE-së të dala nga procesi Screening.
Ndërkaq, procesi i hartimit të kësaj strategjie është bërë me specialistë të prokurimit publik, ekspertëve të fushës dhe grupeve të tjera të interesit, të cilët kanë kontribuar në arritjen e një shkalle të lartë të pajtueshmërisë me prioritetet strategjike dhe mënyrat për trajtimin e tyre.
“Procesi i hartimit është organizuar në disa faza duke përfshirë ngritjen e grupit të punës për hartimin e strategjisë, konsultime paraprake për metodologjinë e punës dhe formatin e strategjisë, analizën e situatës e cila ka rezultuar me identifikimin e problematikave në fushën e prokurimeve publike që do të trajtohen nga strategjia; përcaktimi i veprimtarive kryesore dhe masave të strategjisë; hartimin e planit të zbatimit dhe kostimin e strategjisë, konsultimin publik dhe finalizimin e dokumentit.”, thuhet në strategjinë e re kombëtare.
Ky dokument strategjik vjen në vijim të Strategjisë Kombëtare për Prokurimin Publik 2020-2023 (SKPP 2020-2023), e cila parashikonte një sërë objektivash strategjikë të detajuar me masa konkrete, në realizimin e të cilave u angazhuan institucione publike direkt të përfshira ose kontribuuese, shkruan rtsh.al.
Qëllimi i strategjisë
Qëllimi kryesor i kësaj strategjie, sipas qeverisë, është garantimi i një sistemi prokurimi eficient dhe efektiv në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës së lirë dhe të ndershme, mos diskriminimit dhe trajtimit të barabartë, duke promovuar dhe nxitur një sistem të qëndrueshëm që garanton vlerën për para.
“Viti 2023 ishte viti i fundit i zbatimit të Strategjisë së mëparshme dhe planit të saj të veprimit. Gjatë kësaj periudhe, ka pasur zhvillime në të gjitha Qëllimet e Politikave të Strategjisë dhe në përgjithësi ka pasur ecuri pozitive. Megjithatë, vijon të ketë aktivitete në proces realizimi apo aktivitete që duhet të realizohen, të cilat do të materializohen dhe të reflektohen në SKPP 2024-2030. Për këtë arsye, edhe SKPP 2024-2030 do të reflektojë ato objektiva specifikë dhe masa të cilat do të synohen të realizohen gjatë viteve të ardhshme.”, theksohet në dokumentin që publikohet nga rtsh.al.
Në fokus të SKPP 2024-2030, ndër të tjera, përmenden rritja e efiçencës dhe efikasitetit në procedurat e prokurimit publik; mirë përdorimin e fondeve publike dhe reduktimin e shpenzimeve procedurale; nxitjen e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, sidomos promovimin dhe nxitjen e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME); nxitjen e konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë; sigurimin e trajtimit të barabartë dhe jo-diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë në procedurat e prokurimit publik; garantimin e integritetit, rritjen e besimit publik dhe transparencës në procedurat e prokurimit publik.
Risitë që sjell ligji:
- qartësimit të fushës së zbatimit, përjashtimeve specifike dhe kontratave të përziera të prokurimit;
- konceptit të kontratave të rezervuara dhe kontratave ndërmjet subjekteve brenda sektorit publik, njoftimeve paraprake dhe periodike te informacionit, si mjete qe rrisin transparencën, dhe i japin mundësi operatorëve ekonomikë të njihen kohë më parë me të dhënat e një objekti konkret prokurimi të planifikuar;
- përcaktimit të kufirit të ulët dhe të lartë monetar;
- procedurave të prokurimit, sipas direktivave përkatëse të BE-së, duke parashikuar procedura të reja prokurimi, me faza, siç janë: procedura konkurruese me negociim, dialogu konkurrues dhe partneriteti për inovacion;
- parashikimit të procedurave më të thjeshtuara në prokurimin e veprimtarive të sektorit sektorial me një kre të posaçëm, me rregullime specifike për sektorin sektorial (i cili, përfshin veprimtari që kanë të bëjnë me shërbimet e transportit, ujit, energjisë, gazit, shërbimet postare, portet dhe aeroportet);
- lehtësimit të pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, nëpërmjet përdorimit të formularit përmbledhës të vetë-deklarimit;
- parashikimit të përdorimit të kriterit për vlerësim “oferta ekonomikisht më e favorshme”, e cila identifikohet në bazë të çmimit dhe kostos, duke përdorur metodën e efektivitetit të kostos;
- paraqitjes së sigurimit të ofertës, si një masë mbrojtëse për autoritetet kontraktore, në rast të tërheqjes së ofertuesit;
- konceptit të reduktimit të numrit të operatorëve ekonomikë të kualifikuar në procedurat me faza, nëse një gjë e tillë përcaktohet si mundësi nga autoriteti kontraktor që në dokumentet e tenderit;
- uljes së afatit minimal të periudhës së përjashtimit të operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike, duke filluar nga 3 muaj;
- parashikimit të periudhës së pritjes, gjatë së cilës autoriteti kontraktor nuk mund të nënshkruajë kontratë, periudhë e cila fillon nga shpallja e njoftimit të fituesit;
- lehtësisë në prokurimin e shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera të veçanta, të cilat i nënshtrohen një regjimi të posaçëm, të thjeshtuar prokurimi;
- rritjes së rolit kontrollues të APP-së në drejtim të verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë në procedurat e prokurimit, përfshi ato të anuluara, dhe monitorimit të zbatimit te kontratave;
- ankimit të operatorëve ekonomikë, njëkohësisht si në autoritetin kontraktor, edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, duke shkurtuar procesin e rishikimit administrativ i afateve te ankimit;
- parashikimit për herë të parë të konceptit të modifikimit të kontratave, si dhe rasteve të pavlefshmërisë së kontratave.