Promovimi i barazisë gjinore, Hasani: Shqipëria, hapa të rëndësishëm në fuqizimin e grave

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndodhet në Nju Jork ku mori pjesë, në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së :“Gratë që ndërtojnë paqen në një mjedis të ndryshuar”

Në fjalën e tij, ministri Hasani i shprehu mirënjohje Zvicrës që i ka dhënë përparësi paqes dhe sigurisë së grave në agjendën e Këshillit.

“Investimi në iniciativat e paqes dhe sigurisë së grave është përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë, siç është demonstruar edhe gjatë shërbimit tonë në Këshillin e Sigurimit në dy vitet e fundit”, theksoi Hasani.

Ne, shtoi ai, “e kemi të qartë se investimi ne agjendën e paqes dhe sigurisë së grave ndikon drejtpërdrejt në paqen e qëndrueshme, sigurinë ndërkombëtare dhe në stabilitetin ekonomik”.

“Ndërsa i afrohemi 25-vjetorit të rezolutës historike 1325, agjencia e paqes dhe sigurisë së grave ka marrë rëndësi parësore në diskutimet globale. Në veçanti, gjysma e vendeve anëtare të OKB-së tani po zbatojnë në mënyrë aktive plan-veprimin, që reflekton angazhimin e vazhdueshëm për veprime konkrete në zbatimin e agjendës së paqes dhe sigurisë së grave”, u shpreh Hasani.

“Ky progres është i rëndësishëm për të siguruar që zëri dhe përvojat e grave të jenë thelbësore në proceset e paqes dhe të vendimmarrjes në të gjitha nivelet. Por, pavarësisht gjithë këtyre avancimeve, një hendek i vazhdueshëm ekziston për sa i takon zbatimit, veçanërisht për sa i takon përfshirjes së grave në vendimmarrjen për paqen dhe sigurinë”, theksoi më tej Hasani.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mosrespektimi i të drejtave të grave, që përbën rrezik të ndjeshëm ndaj progresit të bërë deri më sot. Ne kemi nevojë për ndërtues të paqes. Gazetarët dhe drejtuesit e shoqërisë civile në veçanti përballen me kërcënime të dhunës e madje edhe të zhdukjes me forcë. Luftërat nëpër botë po ndikojnë në përkeqësimin e këtyre realiteteve negative”, nënvizoi Hasani.

Kryediplomati shqiptar theksoi tri pika kryesore, që në këndvështrimin e tij do të avanconin në mënyrë të ndjeshme zbatimin e axhendës së paqes dhe sigurisë së grave.

“Së pari në mënyrë efikase duhet të avancohet alokimi i fondeve dhe burimeve të mjaftueshme financiare për mbështetjen e aktivisteve gra të paqes, veçanërisht për ato që veprojnë në zona konflikti. Pas më  më shumë se dy dekada zbatim të rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit,  ne duhet të intensifikojmë përpjekjet tona për rritjen e financimit për gratë aktiviste të paqes, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në frontet e paqes dhe sigurisë. Përveç mbështetjes financiare, gratë duhet të fuqizohen në rolet e tyre, duke u dhënë forcë zërit të tyre dhe duke mbështetur iniciativat e tyre”, tha Hasani.

Së dyti, shtoi Hasani, “është e rëndësishme të vendosen kuota të rëndësishme për pjesëmarrjen e grave në proceset e paqes. Ne e mbështesim plotësisht rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm për një minimum përfaqësimi prej të paktën një e treta e përfaqësuesve. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të jetë më shumë se 50%. Barazia gjinore e forcon procesin e paqes, por edhe i forcon gratë si udhëheqëse në shoqëritë e tyre”.

“Dhe së treti, është e domosdoshme që të shfrytëzohen teknologjitë e reja për t’i dhënë forcë zërit të grave në proceset e paqes. Fushatat e mediave sociale, forumet online dhe pjesëmarrja virtuale në negociatat e paqes mund të  rrisë përfshirjen e grave në këtë proces”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, shtoi Hasani, “masat e sigurisë janë thelbësore në mbrojtjen e grave nga ngacmimet në internet dhe fushatat e dezinformimit. Mjedisi i sigurt digjital u mundëson grave të marrin pjesë lirshëm dhe me besim, duke kontribuuar pa patur frikë nga hakmarrja”.

Hasani gjithashtu theksoi se, Shqipëria ka bërë  hapa të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në promovimin e barazisë gjinore.

“Qeveria mbetet e vendosur për rritjen e përfshirjes së grave në jetën publike. Në bashkëpunim me UN Women, Shqipëria ka integruar buxhetim të përgjegjshëm gjinor në nivel qendror dhe lokal”, tha ai.

“Ne e kuptojmë që financimet buxhetore për programe të barazisë gjinore mundësojnë pjesëmarrjen e plotë të grave në paqe dhe në zhvillimin e qëndrueshëm”, shtoi ai.

Hasani u shpreh se, Shqipëria aktualisht po harton planin e dytë kombëtar të veprimit për paqen dhe sigurinë e grave për përforcimin e mëtejshëm të këtyre parimeve për të siguruar që zëri i grave është në ballë të përpjekjeve të ndërtimit të paqes në rajonin tonë.

“Shqipëria mbetet e vendosur në zbatimin e axhendës së paqes dhe sigurisë së grave”, përfundoi fjalën e tij ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.