Protesta- Berisha: Mosbindja civile, në të gjithë vendin. Bllokime rrugësh e ngujime, veprimet e radhës
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar se mosbindja civile që, sipas tij, nisi me protestën e djeshme (7 tetor) do të përshkallëzohet dhe do të shtrihet në të gjithë vendin. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se veprime të tjera që ata do të ndërmarrin, në vazhdën e kësaj mosbindje civile, do të jenë edhe ngujimet, grevat dhe bllokimet e përkohshme të rrugësve.
Ai i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të pranojë kërkesën e tyre për qeveri teknike, duke e paralajmëruar se në të kundërt “mosbindja civile do të shkërmoqë narkoshtetin”.
“Mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë i fillimit të mosbindjes civile. Për Edi Ramën kam një thirrje, opozita ka vetëm një javë në aksion, me kaq ke humbur Parlamentin, institucionet e krimit u dogjën nga flaka e revoltës, reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë të marrim pushtet me dhunë, por qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira, aty të shohim se kë do të zgjedhin shqiptarët. Krijo qeverinë teknike sepse javët që vijnë mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd. Mosbindja ka shumë forma, kemi ngujime përpara, kemi greva, bllokime permanente rrugësh, kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të shkërmoqin narkoshtetin e Edi Ramës. Nëse mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë, do kesh në mbarë Shqipërinë”, tha Berisha.
Protestuesit e djeshëm ai i konsideroi si ndërgjegjja e kombit.
“Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombit, zëri i njerëzve të heshtur, ishin ndërgjegjja e njeriut të civilizuar që kudo në botë ngrihet kundër padrejtësive, kundër tiranive. Ata dje ngjanin me Feniksin, në fakt ishin udhëheqësit, ishin prijësi, zoti i kryeqytetit, por dhe i Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
Opozita protestoi për 3 orë ditën e djeshme, ku u hodhën molotovë te kryeministria dhe më pas në selinë e PS-së. Si pasojë u plagosën disa efektivë të policisë.
Mosbindja civile e opozitës vijoi drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe Parlamentit, ku sërish u hodhën flakadanë dhe bomba molotov dhe nga ana tjetër policia ju përgjigj me gaz lotsjellës. Marshimi përfundoi në selinë e PD ku sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, deklaroi se 7 tetori ishte vetëm hapi i pare i mosbindjes civile.