Protesta e opozitës, Berisha: Rama, mafie e rrezikshme. Duam zgjedhje të lira dhe qeveri teknike
Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë ka përfunduar pas 2 orësh nga fillimi i saj ku u shoqërua me incidente të vogla përgjatë së cilës protestuesit hodhën molotov në drejtim të godinës së qeverisë.
Gjithashtu përgjatë protestës ranë në sy edhe grupe me maska që kishin mbushur çantat me pllaka të hequra nga trotuaret për të sulmuar Kryeministrinë.
Megjithatë, incidentet ishin të pakta dhe protesta ishin në përgjithësi paqësore ku dominuan fjalimet e demokratëve dhe drejtuesve kryesorë të opozitës si presidenti i Lirisë Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha në fjalimin e tij video të realizuar nga shtëpia e tij ku ndodhet nën arrest.
Në fjalën e tij, Berisha tha se opozita duhet të bashkohet për të arritur në zgjedhje të lira dhe qeveri teknike.
Ai theksoi se kryeministri Rama është mjaft i rrezikshëm për vendin dhe për këtë arsye sipas Berishës shqiptarët duhet të bëhen bashkë për të bërë të mundur rikthimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri.
“Edi Rama është mafia më e rrezikshme e planetit, ai dhe mafia e Xhorxh Sorosit i kanë shpallur luftë flamurit, kombit dhe demokracisë shqiptare. Edi Rama do një Shqipëri pa shqiptarë. Pa opozitë. Pa drejtësi. Pa kulturë. Pa dinjitet. Pa familje. Prandaj, kjo luftë kërkon dhe meriton çdo sakrificë nga demokratet dhe demokratët shqiptarë, për një Shqipëri të shqiptarëve, për familje solide, për shtetin ligjor, demokracinë, prosperitetin, integrimin në Bashkimin Europian.
Por kjo luftë nuk do të luftohet dhe nuk duhet të luftohet vetëm nga Partia Demokratike.
Kjo është lufta e çdo shqiptari. Prandaj kushtrimi im sot, shkon për çdo parti opozitare, tradicionale apo të reja qofshin ato, për shoqërinë civile dhe mediat, për veprimtarë dhe aktivistë të të gjitha fushave. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Të bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!
Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka”, tha Berisha.
Ndërkaq, pas fjalimit të Berishës turma e protestuesve u nis drejt Bashkisë së Tiranës për të protestuar edhe aty, që sipas demokratëve “Rama dhe Veliaj janë djepi i korrupsionit në vend”. Ashtu si para Kryeministrisë, protestuesit hodhën molotov ndaj godinës së Bashkisë së Tiranës duke i vendosur flakën hyrjes së godinës.