Protesta e opozitës/ Hodhën molotov drejt Kryeministrisë, shoqërohen në polici disa persona
Disa protestues janë shoqëruar për në komisariat pasi hodhën molotov ndaj godinës së Kryeministrisë në protestën e sotme të thirrur nga grupimi i Rithemelimit të ish-kryeministrit Berisha.
Gjithashtu, po gjatë protestës së opozitës disa të rinj thyen barrierat metalike që ishin vendosura përpara Kryeministrisë.
Ndërkaq, Policia e Shtetit dhe hetues kanë “zbarkuar” në sheshin para Kryeministrisë ku mblodhën provat që lanë protestuesit. Ndërsa vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla pa nga afër atë që kishin lënë pas protestuesit, teksa përshkroi hapësirën në afërsi të Kryeministrisë.
Grupimi opozitar i Rithemelimit të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha protestoi pasditen e sotme për rreth 2 orë përpara godinës së Kryeministrisë duke kërkuar largimin e Edi Ramës.
Përgjatë protestës së këtij grupimi opozitar, ish-deputetë dhe deputetë të Partisë Demokratike mbajtën fjalën e tyre duke kërkuar largimin e qeverisë së kryeministrit Rama.
Më pas, ishte ish-kryeministri Sali Berisha i cili foli në një lidhje direkte nga banesa e tij pasi ndodhet nën arrest-shtëpiak.
Në fjalën e tij Berisha tha se kjo protestë është nisje e mosbindjes civile të opozitës ndaj qeverisë së kryeministrit Rama.
“… ky 20 shkurt është edhe më i rëndësishëm se 20 shkurti i rrëzimit të shtatores së diktatorit.
Sepse ne inaugurojmë sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Betejën për çlirimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura e shëmtuar e Edi Ramës.
Ne inaugurojmë betejën popullore pa kthim për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë, të mbyllura nga regjimi i Tiranës”, u shpreh Berisha.
Protesta ishte me incidente të vogla, por pas përfundimit të fjalimit Berishës, protestuesit hodhën tymuese dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë. Ndërsa më pas turma u shpërnda nën drejtimin e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës, të cilit udhëhoqën protestën e ditës së sotme.