Protesta e tifozëve në Gjermani, “Blackstone” largohet nga gara e investitorëve
Plani i Ligës Gjermane të Futbollit për të shitur një pjesë të aksioneve të një kompanie mediatike, e cila ende nuk është krijuar, nuk po shkon siç duhet.
Në këtë proces tifozët janë në parim kundër investitorëve të huaj, të cilët kërkojnë të futen në futbollin gjerman. Sa i përket çështjes konkrete protestat janë amlifikuar edhe më shumë për shkak të dyshimeve që ka lënë mënyra se si u votua ky hap i madh në futbollin gjerman.
Një grup anonim tifozësh ka akuzuar në mënyrë direkte shefin e ekzekutivit të Hanoverit, Martin Kind. Mësohet se anëtarët e klubit kanë qenë kundër kësaj nisme të Ligës Gjemane të Futbollit dhe në votimin e organizuar prej saj presidenti i Hanoverit ka ftuar Kind që t’i qëndrojë vullnetit të anëtarëve duke votuar kundër. Kind ka votuar pro dhe ka qenë pikërisht vota e tij, ajo që i ka dhënë Ligës Gjermane të Futbollit dritën jeshile në planin e saj. Siç dihet një hap i tillë kërkonte 2/3 e votave për të kaluar dhe vota e Hanover ka bërë diferencën.
Në garë për të marrë një pjesë të aksioneve të kompanisë mediatike ishin “CVC” dhe “Blackstone”. Kjo e fundit së fundmi kishte ofruar 1 miliardë euro. Sipas “Bloomberg”, “Blackstone” është tërhequr nga gara e shtyrë nga revolta e tifozëve.
Në këtë pikë Ligës Gjermane të Futbollit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të pranojë ofertën e kopmanisë nga Luksenburgu “CVC” ose t’i bindet tifozëve dhe të ribëjë edhe një herë procedurat për këtë hap në mënyrë më transparente.